Lajme

Sunak dhe Macron: Një dashuri bankierësh


Dashuria përtej Kanalit mund të lulëzojë.

Kjo pas vitesh – e disa mund të thonë pa frikë edhe shekuj – mes grindjeve.

Është ende herët, por zyrtarë të lartë si në Britani ashtu edhe në Francë po shpresojnë se një Entente Cordiale – marrëveshjet e nënshkruara më 8 prill 1904 midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Republikës Franceze, të cilat panë një përmirësim të ndjeshëm në marrëdhëniet anglo-franceze – e re mund të krijohet mes Rishi Sunak dhe Emmanuel Macron.

Dy bankierë të shkëlqyer, të pasur, në fillim të të 40-tave, me prirje për pushtet, pragmatizëm dhe politika të qendrës së djathtë.

Me siguri, zyrtarët e tyre të lartë pëshpëritin se këta mund te jenë të detyruar të shkojnë mirë.

“Ata mund të krahasojnë madhësinë e bonuseve të tyre”, ishte shakaja e bërë nga një diplomat i Bashkimit Evropian.

Kështu ai vuri në dukje jetën e mëparshme të Sunak-ut në Goldman Sachs dhe historinë e Macron-it në Rothschild.

Shenjat e hershme janë të mira.

Data e parë shumë e rëndësishme dukej se shkoi mirë – një takim dypalësh në margjinat e konferencës së Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike COP27 në Egjipt javën e kaluar.

Macron ishte mjaftueshëm i magjepsur për të ftuar Sunak-un përsëri në Paris, pak para Krishtlindjeve, për një konferencë në mbështetje të shoqërisë civile ukrainase.

Sunak ende nuk është përgjigjur zyrtarisht.

Dyshja do të takohen sërish këtë javë, këtë herë në plazhet e bukura të Balit, një sfond mahnitës tropikal për atë që mund të rezultojë të jetë një samit sfidues i G20-s, duke pasur parasysh sfondin global.

Samiti i parë zyrtar anglo-francez në pesë vjet është planifikuar për në fillim të vitit të ardhshëm.

Dhe të hënën, të dyja palët zbuluan një marrëveshje të shumëpritur për migrimin, pas muajsh ngërçi diplomatik nën udhëheqjen e mëparshme të Britanisë.

Një zyrtar i lartë në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, i cili i njeh të dy burrat, tha se ishin të bindur se marrëdhënia do të funksiononte.

Jean-Pierre Jouyet, një ish-ambasador francez në Mbretërinë e Bashkuar, beson se karriera e kaluar e dy burrave si bankierë dhe ministra të Financave do të ndihmojë mirëkuptimin reciprok.

“Marrëdhënia mund të funksionojë, sepse ata kanë pasur rrugë të ngjashme, ata i shohin tregjet në një mënyrë të ngjashme – dhe sepse Macron është shumë më i djathtë se sa ishte pesë vjet më parë”, tha Jouyet për  presigjiozen “Politico”.

Me marrjen e detyrës në tetor, Sunak ishte i vendosur ta zhbënte armiqësinë mes Macron-it dhe dy paraardhësve të tij si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss dhe Boris Johnson.

Ky i fundit dhe Macron-i ishin përplasur shpesh.

Në telefonatën e parë private të Sunak-ut me Macron-in pasi u bë kryeministër, më 28 tetor, ai “theksoi rëndësinë që i jep marrëdhënies së Mbretërisë së Bashkuar me Francën”.

Në fakt, një zyrtar qeveritar me njohuri të drejtpërdrejta për telefonatën sugjeroi që Sunak-u bëri gabimin klasik të takimit të parë duke qenë paksa shumë i etur për ta kënaqur palën tjetër.

“Sunak donte ta bënte të funksiononte, gjithçka ishte pak e dëshpëruar”, tha zyrtari.

Nëse Macron-i dukej jo i kënaqur nga qasja e vrullshme e Sunak-ut, nuk ka dyshim që Parisi ndjen një mundësi për të rivendosur marrëdhëniet.

Marrë nga “Politico”, përshtatur për Albanian Post 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore