Sport

Sulmuesi i Italisë prezantohet te West Ham-i


Sulmuesi i Italisë, Gianluca Scamacca, është blerja e fundit e ekipit londinez, West Ham United.

Këta të fundit shpenzuan 36 milionë euro, shifër kjo që mund të shkojë deri në 42 për ta transferuar Scamacca-n nga Sassuolo.

23-vjeçari firmosi kontratë pesë-vjeçare me klubin nga Londra, derisa në prezantimin e tij tha që mezi pret të debutojë me ekipin e tij të ri dhe se e kishte ëndërr të luante në Premier Leauge.

“Jam i lumtur që do të luaj me West Ham-in. Ka kohë që e pres këtë moment, e kam ëndërruar të luaj në Premier League”, tha Scamacca.

“E ndjej që West Ham është skuadra ideale për mua. Ata e treguan sa shumë donin të firmosnin me mua”, shtoi ai.

“Fola me trajnerin, u kuptuam menjëherë me njëri-tjetrin. Mezi po pres të luaj dhe t’u tregoj tifozëve se çfarë mund të bëj me fanellën e West Ham-it”, tha mes tjerash italiani gjatë prezantimit.

Sulmuesi 23-vjeçar shpërtheu në edicionin e kaluar me fanellën e Sassuolo-s. Ai shënoi 16 gola në 36 ndeshje në Serie A.

Sulmuesi shtatlartë debutoi me kombëtaren italiane në shtatorin e kaluar, dhe deri tani numëron shtatë ndeshje me katër herë kampionët e botës.

Kujtojmë që Paris Saint Germain ishte shumë afër të nënshkruante gjatë kësaj vere me Scamacca-n, por në fund ky vendosi që t’i bashkohet West Ham-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore