Sport

Sulmuesi i Inter-it kërkohet nga Marseille


Alexis Sanchez është sulmues i “tepërt” te skuadra e Inter-it, andaj këtë situatë kërkojnë ta shfrytëzojnë drejtuesit e klubit francez, Marseille.

Sipas asaj që raportojnë mediat në Francë, drejtuesit e Marseille-s po ushtrojnë presion ndaj atyre të Inter-it për ta liruar futbollistin kilian.

Drejtori sportiv i klubit francez, Pablo Longoria, gjithashtu është në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e Sanchez-it.

Mediat në Francë madje raportojnë se është arritur marrëveshja mes klubit dhe futbollistit, por që amerikano-jugori të transferohet në Ligue 1, duhet të jepet edhe drita e jeshile nga zikaltrit.

Pra, kushti i vetëm që 33-vjeçari të bashkohet me skuadrën nga Ligue 1, është që Inter-i ta ndërpresë kontratën me kilianin, e cila skadon në qershorin e ardhshëm.

Pra, duke pasur parasysh ardhjen e Romelo Lukaku-t, ekipi nga Milano me shumë mundësi do ta lirojë Sanches-in, pasi në skuadër ka edhe emra të tjerë të repartit të sulmit si Lautaro Martinez, Joaqin Correa dhe Edin Dzeko.

Kujtojmë që Sanchez është pjesë e skuadrës së Inter-it që nga vera e vitit 2020, kur erdhi nga Manchester United-i si transferim i lirë.

Deri më tani, Sanchez numëron 76 paraqitje në të gjitha garat me nënkampionët e Italisë, prej të cilave ka shënuar 16 gola dhe ka dhuruar 13 asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore