Lajme

Sulmohet djali i politikanit serb nga Kosova, Nenad Rashiq, me çekiç e thika


Nenad Rashiq

Djali i Nenad Rashiq, politikanit të moderuar serb nga Kosova dhe ish-ministrit, është rrahur brutalisht nga disa persona.

Raporti i policisë tregon se 18 vjeçari, Nikolla Rashiq, u sulmua në fshatin Llapnasellë të Graçanicës derisa po dilte nga shkolla.

Nikolla ka pësuar dëmtime të rënda në fytyrë dhe në kokë, ka treguar babi i tij.

“Pas përfundimit të shkollës, ka qenë një grup rreth 30 persona, që përveç boksave të hekurt, ata kanë pasur edhe çekiçë e thika. Unë kam pranuar që duhet ta paguaj çmimin e ideologjisë që kam, por me të vërtetë unë nuk kam pritur që djali im duhet ta paguajë çmimin kaq jornomal”, ka thënë Rashiq.

Sipas policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 12:00.

Raporti i policisë tregon se “lidhur me këtë rast policia ka shoqëruar në stacion policor 8 persona të dyshuar (prej tyre një i  mitur)”.

Për rrahjen e Rashiqit të ri ka reaguar edhe u.d e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo ka fajësuar shtetin serb për ndodhinë.

“Është tashmë e qartë që sulmi ndaj tij është në vazhdën e kërcënimeve të shumta e ndërhyrjeve ilegale të Serbisë në Kosovë, që kanë për qëllim frikësimin e qytetarëve serbë”, ka theksuar Osmani në reagimin e saj.

Njëjtë fajtore Serbinë e ka bërë edhe Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Duket se ky krim banditesk ndaj Nikolla Rashiqit është i organizuar dhe ka të bëjë me prindin e tij që nuk u thye e as s’u nënshtrua ndaj trysnisë e kërcënimeve të Serbisë. Me gjasë, meqë nuk e frikësuan dot Nenad Rashiqin, ia rrahën të birin Nikollën”, shkruan Kurti në Facebook.

Edhe Osmani edhe Kurti kanë kërkuar “që organet e rendit urgjentisht ta zbardhin këtë rast dhe kriminelët të përgjigjen para drejtësisë”.

Për rrahjen e Nikolla Rashiqit kanë reaguar edhe nga Lista Serbe, partia që kontrollohet nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, dhe kundërshtarët politik të Nenad Rashiqit.

Edhe ata, përmes një komunikate publikuar në Facebook, shkruajnë se “ftojmë organet kompetente që në mënyrë sa më të shpejtë të kryejnë hetimet dhe përgjegjësve t’ua japin dënimin meritor”.

Por,  pak orë pas incidentit, zyrtari i lart i kësaj liste, Dalibor Jevtiq, përmes një postimi në Twitter e ka akuzuar dhe fyer politikanin Nenad Rashiq, duke e quajtur “bixhozçi që u bën lajka shqiptarëve dhe u kërkon atyre ta votojnë për të shkatërruar Listën Serbe”.

Kjo pasi, Rashiq kishte ekspozuar në vazhdimësi strategjitë e Listës Serbe për të kontrolluar, kur është nevoja edhe me forcë, komunitetin serb në Kosovë.

Për rrahjen e Nikollas kanë reaguar edhe komuniteti ndërkombëtar në Kosovë.

Kanë kërkuar zbardhje të shpejtë të rastit.

Nenad Rashiq, është politikan serb nga Kosova, që e pranon shtetin e Kosovës, pavarësinë dhe sovranitetin e shtetit. Flet shqip e mbron interesat e komuniteti serb, por ka idenë që serbët duhet të shikojnë integrimin në Kosovë, e jo mohim të shtetësisë e rikthim të Serbisë.

Ai ishte edhe ministër dhe konsiderueshëm i fuqishëm politikisht, derisa humbi fuqinë, pas monopolit politik që u krijua brenda komunitetit serb në Kosovë, kur u formua Lista Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore