Lajme

Sulmi rus në stacionin Kramatorsk ishte ‘kasaphanë’, thotë Kuleba


Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, ka akuzuar Rusinë për “masakër të qëllimshme” të dhjetëra civilëve pas një sulmi me raketa ruse në stacionin hekurudhor Kramatorsk. Ai i cilësoi pamjet si “kasaphanë”.

“Rusët e dinin se stacioni i trenit në Kramatorsk ishte plot me civilë që prisnin të evakuoheshin. Megjithatë, ata e goditën atë me një raketë balistike, duke vrarë të paktën 30 dhe duke plagosur të paktën 100 njerëz”, shkruan Kuleba në median sociale Twitter.

Ai ka vijuar, duke theksuar se, “ne do të nxjerrim para drejtësisë çdo kriminel lufte”.

Mykhailo Podolyak, këshilltar kryesor i Presidentit Zelenskiy, e përshkroi sulmin si “një akt të qëllimshëm frikësimi”.

Podolyak shkroi në Twitter se, “dhjetëra civilë të vdekur dhe të plagosur. Familje me fëmijë që po përpiqeshin të evakuoheshin”.

“Bota duhet të kuptojë: Rusia është një shtet-terrorist. Blerja e naftës dhe gazit të saj është financim i terrorizmit”, e përmbyll ai postimin e tij.

Nga ana tjetër, Kremlini ka mohuar se Rusia ishte e përfshirë pas sulmit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore