Lajme

Sulmi që tronditi Kosovën


Autobusi i sulmuar me breshëri plumbash në Gllogjan të Gjakovës

Tre persona kanë mbetur të vdekur, derisa një tjetër është plagosur nga sulmi me armë zjarri që i është bërë një autobusi me nxënës në Kosovë, në fshatin Gllogjan të Deçanit.

Sulmi ndaj autobusit kishte ndodhur rreth orës 19:00 të së premtes së 26 nëntorit nga një person i maskuar i cili kishte nxënë pritën autobusit, duke i dalur përballë dhe shtënë me breshëri në drejtim të tij.

Të vrarët janë shoferi i autobusit dhe dy nxënës nga tetë sa ishin gjithsej në autobus në momentin e sulmit.

Nxënësit e vrarë janë nga fshatin Gllogjan i Deçanit, derisa shoferi nga fshati Skivjan i Komunës së Gjakovës.

Për Albanian Post, drejtori i spitalit në Deçan, Selmon Berisha, fillimisht kishte konfirmuar vdekjen e një personi, përkatësisht shoferit të autobusit, por më pas nga policia në Pejë është konfirmuar edhe vrasja e dy personave të tjerë, përkatësisht nxënësve të cilët ishin dërguar në Spitalin Regjional të Pejës pa shenja jete.

Nxënësi i plagosur nga sulmi është jashtë rrezikut për jetë. Ai ka marrë plagë tejshpuese në këmbën e majtë.

Policia e Kosovës së bashku me Prokurorinë e Shtetit menjëherë kanë dalur në vendin e ngjarjes për të bërë ekzaminimin e hapësirës së krimit.

Ndërsa Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në një njoftim për media ka kërkuar që kushdo që ka informacione lidhur me rastin të bashkëpunoj me Prokurorinë dhe me Policinë që kryerësi I aktit të identifikohet dhe të vihet sa më parë para drejtësisë.

Prokuroria e Shtetit

Liderët e institucioneve dënojnë sulmin

Sulmin ndaj autobusit me nxënës në Gllogjan ku mbetën të vdekur tre persona e kanë dënuar liderët e institucioneve të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se është e tronditur nga lajmi për aktin kriminal në Gllogjan.

Ajo ka thënë se sulmi ndaj autobusit me nxënës është “goditje ndaj rendit e sigurisë sonë” duke shtuar se “siguria e qytetarëve është prioritet, ndaj nuk do të zmbrapsemi në përmbushjen e këtij misioni”, ka shkruar Osmani.

Vjosa Osmani – Presidente e Kosovës.

“Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjeve të të vrarëve dhe uroj shërim të shpejtë për të lënduarin. Ftoj organet e rendit që sa më parë t`i zbulojnë autorët e krimit dhe t`i sjellin para drejtësisë”, ka thënë ajo.

Ndërsa, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Policia e Kosovës dhe të gjitha institucionet përkatëse të shtetit janë aktivizuar për të hetuar dhe zbardhur rastin e sulmit kriminal ndaj nxënësve.

“Në emrin tim dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve, shokëve e shoqeve, që humbën më të dashurit në këtë sulm”.

Albin Kurti

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se është i tronditur nga rasti në Gllogjan duke thënë se “bashkëndjejmë me familjarët e viktimave nga kjo ngjarje me përmasa kriminale”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se ka ndodhur një ” krim i rëndë mbi nxënësit dhe qytetarët” në Gllogjan të Deçanit duke shtuar se “ky rast duhet të zbardhet sa më parë dhe kriminelët duhet të përballen me drejtësinë!”.

Kurse ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla përveç tronditjes nga lajmi ka thënë se “Lajme të tilla lëndojnë çdo zemër njerëzore”.

Ai tutje ka deklaruar se menjëherë e ka ndërprerë vizitën dhe aktivitetet e parapara në Shqipëri për tu kthyer në Deçan, duke bërë me dije se ka “kërkuar nga Policia e Kosovës angazhim dhe mobilizim maksimal, me të gjitha njësitë dhe formacionet e nevojshme, në mënyrë që autori i këtij akti makabër të arrestohet sa më parë”.

Opozita dënon sulmin vrasës ndaj nxënësve kërkon zbardhjen e rastit

Të gjitha partitë parlamentare opozitare kanë dënuar sulmin ndaj autobusit me nxënës ku mbetën të vrarë tre persona.

Partitë opozitare kanë kërkuar angazhim maksimal nga institucionet që të zbardhet sa më parë rasti dhe të dënohet kryerësi i krimit.

Lideri i opozitës, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se bashkëndjen me familjet e viktimave.

Memli Krasniqi – Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Krasniqi tutje ka thënë se organet përgjegjëse të sigurisë duhet sa më parë “të zbardhin rastin dhe autorin e kësaj vepre të tmerrshme të sjellin para drejtësisë”.

“Në këto orë të rënda për familjarët e viktimave, i bashkohemi dhimbjes së tyre, ndërsa të lënduarve ju dëshirojmë shërim të shpejtë”, ka shkruar Krasniqi.

Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka mbetur i trishtuar dhe i tronditur nga akti makabër në Deçan.

“Është më shumë se krim! Në këto momente të rënda, jemi me familjarët e viktimave dhe të lënduarve në Deçan. Ndajmë dhimbjen dhe lutjet me ta”.

“Organet e rendit dhe drejtësisë të veprojnë shpejtë e në kapacitet të plotë. Të sjellin para ligjit e drejtësisë autorin e këtij krimi monstruoz, që sulmon një autobus të mbushur me nxënës e fëmijë, ka deklaruar ai.

Lumir Abdixhiku

Ndërsa lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë (AAK), Ramush Haradinaj ka reaguar pas sulmit të armatosur ndaj një autobusi në fshatin e tij, Gllogjan të Deçanit, ku mbetën të vrarë dy nxënëse dhe shoferi i autobusit.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka bërë thirrje organeve të rendit që sa më parë ta zbulojnë autorin e këtij sulmi.

“I trishtuar nga sulmi kriminal që ndodhi në Gllogjan, ku humbën jetën tre persona, prej të cilëve dy nxënës”.

“Bashkëndjejmë me familjarët e të vrarëve, duke u lutur për durim dhe forcë, në këto momente të rënda për të gjithë ne”, ka thënë ai.

Ramush Haradinaj

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore