Lajme

Sulmi në “Elektrokosmet”, reagon Lista Serbe: E dënojmë aktin


Anëtarët e Listës Serbe

Lista Serbe, përmes një komunikate për media, ka dënuar ashpër sulmin me mjete shpërthyese ndaj objektit të elektro-distribucionit “Elektrokosmet”, në Veri të Mitrovicës.

Sipas tyre, sulmi në fjalë dhe rrjedhimisht rritja e tensioneve është kundër interesave të popullit serb që jetojnë në Veri të Kosovës.

“U bëjmë thirrje organeve kompetente që të kryejnë me kujdes të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe të garantojnë sigurinë për qytetarët”, thuhet në komunikatën për media.

Ndryshe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka akuzuar strukturat paralele serbe për sulmin në fjalë.

Sipas tij, qëllimi i një sulmi të tillë është ngjallja e pasigurisë te qytetarët.

“Ka pasur një shpërthim ku ka dëme materiale. Nuk ka të lënduar. Qëllimi është që të terrorizohen banorët atje, por edhe të ngjallin pasiguri për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne jemi të bindur që organet tona të hetuesisë do të dalin me informata edhe më të detajuara, por edhe me rezultate nga ato hetime”, deklaroi Sveçla për agjencinë e lajmeve KosovaPress.

Ndryshe ngjarja ndodhi dy ditë pasi Kosova dhe Serbia u pajtuan për zbatimin e marrëveshjes për energjinë të nënshkruar më 2013, në Bruksel, por e cila nuk ishte zbatuar.

Pas dakordimit për zbatimin e marrëveshjes për energjinë, qytetarët në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara më shumicë serbe, që nuk kanë paguar rrymën elektrike nga viti 1999, do të obligohen t’i paguajnë faturat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore