Shqipëria

Sulmi në Beograd erdhi nga pakujdesia e policisë, thotë Karaj


Aktivistja për të drejtat e njeriut dhe kryetarja e Aleancës LGBTI, Xheni Karaj, deklaroi për Albanian Post se sulmi në Beograd ndaj shqiptarëve erdhi si pasojë e pakujdesisë së autoriteteve serbe.

Kjo, gjatë organizimit të paradës “Europride 2022” në kryeqytetin serb.

“Pati neglizhim nga ana e policisë. Ata (policët) ishin të shumtë në numër. Njerëzit duhet të siguroheshin edhe pas paradës”, u shpreh fillimisht aktivistja për AP-në.

Sipas saj, pas përfundimit të marshimit është edhe momenti kur ndodhin sulmet në përgjithësi.

Karaj tregon se ishin nëntë shqiptarë pjesëmarrës në Europride.

Katër prej tyre kanë pasur përleshje fizike me demonstruesit.

“Dy aktivistë u goditën në kokë. Unë u godita me shkelm në shpinë”, rrëfen aktivistja shqiptare momentet e dhunës nga ekstremistët serbë.

Aktivistja për të drejtat e njeriut dhe kryetarja e Aleancës LGBTI, Xheni Karaj

Europride përfundoi mes incidenteve të shumta në Beograd, me arrestimin e disa dhjetërave demonstruesve serbë.

Njëri nga të arrestuarit kishte me vete sëpatë dhe thikë, ai akuzohet se ka penguar policinë në kryerjen e detyrës zyrtare.

Në një vend, një grup të rinjsh me maska ​​dhe kapuç kanë sulmuar policinë me shkopinj, sende të ndryshme dhe mjete piroteknike.

Nga Sheshi i Republikës, policia shpërndau një grup kundërshtuesish të Europride, mes të cilëve edhe të rinj të maskuar, të cilët bërtisnin me fyerje të pranishmëve dhe gazetarëve atje, disa iu afruan kameramanëve me kërcënime.

Diku tjetër, disa njerëz me kryqe dhe ikona arritën të futeshin fshehurazi në rrugën e paradës.

Ministria e Punëve të Brendshme në Serbi nuk i lejoi të pranishmit të ecin përgjatë bulevardit “Kralja Aleksandar”.

Ajo i drejtoi në një rrugë tjetër nga Gjykata Kushtetuese në parkun Tashmaidan, ku ngjarja u mbyll me një koncert.

Së bashku me aktivistë LGBT+ nga e gjithë Evropa, diplomatë – ambasadorë të BE-së, SHBA-ve, Francës, Portugalisë – iu bashkuan aktivitetit.

Kujtojmë se në fillim të kësaj jave në Beograd, mijëra demonstrues fetarë dhe të djathtë u bënë thirrje autoriteteve të ndalojnë Europride.

Beogradi zyrtar u përpoq të parandalonte që kjo ngjarje të ndodhte, por në fund ra dakord për organizimin e saj.

Europride zhvillohet çdo vit në qytete të ndryshme evropiane, në vitin 2022 organizatorët zgjodhën Beogradin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore