Lajme

Sulmi i fundit i Prigozhin ndaj Shoigu-t


Për të matur pulsin e gjendjes brenda elitave ruse duhet t’i drejtohemi ose rrjedhjeve të bisedave telefonike midis oligarkëve të përgjuara dhe të lëshuara në një farë mënyre në telegram, ose te Evgeny Prigozhin.

Kreu i mercenarëve të Grupit Wagner flet gjithnjë e më shpesh si një kundërfuqi, ose si një pjesë e pushtetit që Kremlini nuk ka arritur ta godasë nga FSB-ja.

Kështu Prigozhin mbetet një elektron i lirë, të cilin presidenti Valdimir Putin duhet ta përdorë, sepse ai padyshim nuk mund ta heqë qafe.

Të paktën nuk mund ta bëjë këtë tani për tani.

Një intervistë me blogerin nacionalist Konstantin Dolgov u publikua në kanalet e telegramit Wagnerian dhe më pas në shumë kanale telegrame ruse.

Në to Prigozhin u shfaq duke folur si një strateg, me rroba civile dhe me një hartë të botës mbi supe.

Prigozhin propozoi të emërojë Mikhail Mizintsev, ish-zëvendësministrin e mbrojtjes të shkarkuar së fundmi për logjistikën, në postin e ministrit të Mbrojtjes. Në vend të Sergei Shoigu.

Shefi i Shtabit Valery Gerasimov duhet të zëvendësohet nga ish-komandanti i të gjitha forcave ruse në Ukrainë, Sergei Surovikin, një mik i Prigozhin.

Analiza e tij se si po shkon lufta për rusët është edhe më befasuese.

“Ne e kemi bërë Ukrainën një komb të njohur për të gjithë në mbarë botën. Është si, nuk e di, si grekët gjatë prosperitetit të Greqisë. Më parë, ishte vetëm një nga ish-republikat sovjetike”, ka thënë ai.

Më pas deklaroi se ushtria ukrainase është “ushtria e dytë në botë pas Wagnerit”, se “Korpusi Vullnetar Rus ka punuar profesionalisht në rajonin e Belgorodit dhe herën tjetër do të thellohet”.

“Ne erdhëm në Ukrainë në mënyrë të ashpër, ecëm me çizme në të gjithë territorin në kërkim të nazistëve. Ndërsa kërkonin nazistët ata rrëzuan këdo që mundën. Ata iu afruan Kievit, dhe u tërhoqën. Ata iu afruan Khersonit dhe u tërhoqën edhe këtu”, ka thënë ai.

“Në një mënyrë apo tjetër, asgjë nuk funksionoi për ne”.

Denazifikimi nuk ekziston, sipas Prigozhin. Është thjesht një gënjeshtër si shumë të tjera.

“Operacioni special është bërë për: denazifikimin dhe çmilitarizimin. Ukrainasit ishin thjesht një ish-republikë e Bashkimit Sovjetik”.

“Si rezultat, ne kemi legjitimuar Ukrainën. Ukraina është bërë një vend i njohur absolutisht kudo. Dhe sa i përket demilitarizimit: nëse në fillim të operacionit special kishin 500 tanke, tani kanë 5 mijë. Nëse kishin 20 mijë njerëz të aftë për të luftuar me mjeshtëri, tani 400 mijë prej tyre janë të stërvitur për të luftuar”.

Prigozhin foli për shumë të vdekur rusë, madje edhe në Wagner.

“Shumë më pak njerëz vdiqën në Afganistan sesa ata që vdiqën në Artyomovsk (emri me të cilin rusët, duke cituar emrin sovjetik, e quajnë Bakhmutin)”.

Ai ka treguar se gjatë operacionit kishte përzgjedhur 50 mijë të burgosur, nga të cilët rreth 20 për qind vdiqën.

“Saktësisht i njëjti numër vdiqën me ata që na erdhën me kontratë. Rreth 20 për qind të tjerë janë të lënduar. Ne vramë 50 mijë ushtarë të Forcave të Armatosura të Ukrainës dhe plagosëm 50-70 mijë”.

Prigozhin parashikon se rezultati i luftës në Ukrainë do të jenë me qindra mijëra viktima ruse.

Ai kërkon vendosjen e ligjit ushtarak dhe dënimit me vdekje në Rusi.

E konsideron të pashmangshëm nisjen e një mobilizimi të ri në këtë pikë, shndërrimin e ekonomisë në gjendje lufte.

“Ne do të jetojmë në imazhin e Koresë së Veriut për disa vite”, ka thënë ai.

Padyshim i lavdëron mercenarët e tij: “Wagner është ushtria më e mirë në botë”.

Por ai mendon se ukrainasit sot janë një nga ushtritë më të forta.

“Ata kanë një nivel të lartë organizimi, një nivel të lartë trajnimi, një nivel të lartë inteligjence, kanë armë të ndryshme. Gjithçka shkon për ta në drejtim të arritjes së qëllimit suprem, siç bëmë në Luftën e Madhe Patriotike”.

Marrë nga “La Stampa”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore