Lajme

Sulmet në Arabinë Saudite rrisin çmimin e naftës


Çmimi i naftës ka arritur në më shumë se 70 dollarë për herë të parë në 14 muaj.

Rritja erdhi si pasojë e sulmeve ndaj ngrehinave energjitike të Arabisë Saudite të dielën. Arabia Saudite është eksportuesi më i madh i naftës në botë dhe sulmi ndaj tyre përbën një sulm ndaj sigurisë dhe stabilitetit të furnizimit global.

Sipas njoftimeve të mbretërisë, një sulm me dron erdhi nga deti në drejtim të magazinës së naftës në Ras Tanura, një prej porteve tregtare më të mëdha të naftës në botë.

Një tjetër sulm me raketa balistike ra mbi Dahahran mbrëmjes e të dielës. Në këtë vend ndodhen zyrat qendrore të kompanisë shtetërore “Saudi Aramaco”, si dhe jetojnë mijëra punonjës me familjet e tyre.

Zyrtarët e mbretërisë bënë me dije se nuk kishte të lënduar apo dëme materiale. Gjithashtu, sulmi nuk ka prekur prodhimin e naftës.

Megjithatë sulmi ka trazuar tregjet, duke e rritur çmimin e naftës pas një rënieje konstante kohët e fundit.

Vlera e naftës arriti 71,38 dollarë në bursat ndërkombëtare të hënën në mëngjes, një rritje prej 2,9% brenda natës.

Përgjegjësinë për sulmin e mori përsipër grupi Houthi, një aleat i Iranit në Jemen. “14 sulme me dronë dhe 8 raketa balistike janë lëshuar në një operacion të gjerë në zemër të Arabisë Saudite” tha në deklaratë zëdhënësi i grupimit.

“Frekuenca e këtyre sulmeve është gjithnjë në rritje, edhe pse deri tani janë me rezultate minimale në infrastrukturën energjitike saudite”, u shpreh Bill Farren-Price, drejtor i hulumtimit në kompaninë Enverus. “Ne e dimë se ata i kanë mundësitë për dëme serioze, kështu që presim të ketë rritje të çmimit të naftës në vijim”, përmbylli ai.

Edhe pse dëmet nëpër rafinari janë shmangur për momentin, rritja e çmimit i faturohet pikërisht pasigurisë së krijuar.

Provinca lindore, ku ndodhet dhe Dhahrani, është baza me e madhe e magazinimit të naftës në Arabinë Saudite. Sulmi i të dielës është më i rëndi që nga shtatori i vitit 2019.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore