Lajme

Sulmet ndaj policëve në veri, Qalaj për Albanian Post: Nëse u rrezikohet jeta mund t’i shkrepin armët


Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, tani deputet i Partisë Demokratike, ka kërkuar nga institucionet e sigurisë në Kosovë që të jenë më sy qel pas pesë sulmeve radhazi ndaj zyrtarëve policorë në veri të Kosovës.

Ish-kryepolici kosovar potencon se zyrtarët policorë duhet të reagojnë profesionalisht në rastet e tilla, por nëse u duhet për vetëmbrojtje mund t’i shkrepin edhe armët.

“Por, nëse sulmohen me armë, duhet t’ia kthejë zjarrin kushdo qofshin ata”, shtoi ish-drejtori i Policisë së Kosovës për Albanin Post.

Megjithatë, dyshimet e Qalajt janë se ata që po shtien me armë drejt policëve janë persona që kryesisht merren me kontrabandë.

“Mund të jenë element kriminel të cilët kryesisht kanë të bëjnë kryesisht me kontrabandat në atë pjesë, por mund të jenë edhe shërbimet e inteligjencës serbe dhe ruse, nuk përjashtohet edhe kjo”, shtoi deputeti i PDK-së.

Por, për mos t’u përsëritur incidente të tilla, Qalaj ka kërkuar që organet e rendit t’i shpeshtojnë lëvizjet në veriun e Kosovës.

“Policia e Kosovës duhet ta rrisë prezencë e tyre pak më shumë, sidomos me pjesëtarë të Njësisë Speciale në mënyrë që mos të përsëriten ngjarje të tilla”, tha Qalaj.

Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka vizituar pikat kufitare në Jarinje, Bërnjak dhe Shaptej ku qe pesë herë janë sulmuar zyrtarët policorë dhe veturat e tyre nga persona ende të pa identifikuar nga organet e rendit.

“Policia jonë kufitare mbikëqyrë bllokimin e rrugëve ku më herët është zhvilluar kontrabanda. Përkundër 5 sulmeve të njëpasnjëshme që kanë ndodhur ndaj zyrtarëve policorë, puna e tyre po vazhdon me intensitet të njëjtë e me vigjilencë të shtuar”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Sipas tij, “sulmi ka ndodhur derisa zyrtarët policor po kontrollonin në rrugët e kontrabandës të cilat i kemi mbyllur”.

“Gjendja shëndetësore e zyrtarëve policorë është e mirë dhe nuk ka dëme materiale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore