Lajme

Sulm kibernetik ndaj KNKK-së, ekspozohen të dhënat e mbi 500 mijë njerëzve


Drejtori i Përgjithshëm i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK), Robert Mardini, ka bërë me dije të enjten e 20 janarit se, në serverët e të dhënave të KNKK-së, ka ndodhur një sulm kibernetik.

Sipas tij, kjo rrezikoi shumë informacionin e njerëzve më të prekshëm.

Në një deklaratë për shtyp, ai tha se një sulm ndaj të dhënave të këtyre njerëzve e rrit ankthin dhe vuajtjen për familjet, duke e bërë gjithçka më të vështirë për t’u kaluar.

Agjencia, me seli në Gjenevë, të mërkurën tha se këto sulme prekën të dhënat e më shumë se 515 mijë njerëz.

“Ata që janë të ndarë nga familjet e tyre për shkak të konfliktit, migrimit dhe fatkeqësisë, personat e zhdukur, familjet e tyre dhe njerëzit në paraburgim”.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) tha se shkelja kishte në shënjestër një kontraktor të jashtëm në Zvicër, që ruan të dhëna për organizatën humanitare dhe nuk kishte asnjë tregues se informacioni ishte shpërndarë publikisht ose kishte rrjedhur.

Mardini bëri ​​një apel: “Njerëzit e vërtetë, familjet e vërteta që qëndrojnë pas informacionit që keni tani janë ndër më pak të fuqishmit në botë. Ju lutemi, bëni gjënë e duhur. Mos i ndani, shisni, zbuloni ose keqpërdorni këto të dhëna”.

KNKK dyshon se fajtorët janë kriminelë që kërkojnë të përfitojnë nga të dhënat për qëllime të vjedhjes së identitetit.

Ajo tha se shkelja e detyroi të mbyllte sistemet rreth programit të saj Rivendosja e Lidhjeve të Familjes, i cili synon të ribashkojë anëtarët e familjes të ndarë nga konflikti, fatkeqësia ose migrimi.

Ewan Watson, zëdhënës i KNKK-së, tha se organizata nuk kishte përjetuar kurrë më parë një sulm të këtyre përmasave.

Marrë nga Aljazeera, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore