Lajme

Sulm kamikaz në Bagdad


Dy sulme kamikaze, njëri pas tjetrit, kanë goditur kryeqytetin iraken, Bagdad, të enjten duke lënë viktima dhe të plagosur.

Mediat shtetërore e kanë cilësuar si sulmin më vdekjeprurës në qytet brenda tre viteve.

Të paktën 32 persona u vranë dhe 110 të tjerë u plagosën.

Sulmi ndodhi në një treg të madh rrobash të përdorura në Sheshin Tayran të kryeqytetit iraken.

Tregu ishte i mbushur me njerëz, pas gati një viti kufizimesh të vendosura për parandalimin e përhapjes së coronavirus-it.

Sipas deklaratës së Ministrisë së Brendshme irakene, kamikazi i parë hyri në treg duke pretenduar se ishte i sëmurë. Në momentin që një turmë njerëzish u mblodhën rreth tij për ta ndihmuar, ai shpërtheu.

Ndërsa njerëzit më pas vërshuan rreth viktimave, sulmuesi i dytë shpërtheu bombën e tij, u shpreh zëdhënësi i Ministrisë.

Një fotograf i Agjencisë Franceze Press (AFP), i cili ndodhet në vendngjarje, tha se forcat e sigurisë e kishin rrethuar zonën. Ai përshkoi situatën duke treguar që rrobat e ndotura me gjak ishin shpërndarë nëpër rrugët me baltë.

Ministria e Shëndetësisë në Irak tha se kishte mobilizuar mjekë në të gjithë kryeqytetin.

Sulmi i së enjtes ishte incidenti më i përgjakshëm në Bagdad që nga janari 2018, kur një kamikaz gjithashtu hodhi vetën në erë në Sheshin Tayaran. Nga ky sulm vdiqën më shumë se 30 persona.

Pas viteve të dhunës vdekjeprurëse mes anëtarëve të sekteve fetare, sulmet kamikaze u bënë më të rralla.

Asnjë grup terrorist deri tani, nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Kryesisht sulmet kamikaze, në Irak, i ka bërë Shteti Islamik (IS).

Iraku e ka deklaruar të mundur këtë grup terrorist, që në 2017, pas një fushate tre vjeçare. Qelizat e saj operojnë përsëri në shkretëtirat dhe malet përreth. /AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore