Sport

Suksesi i Robin Gosens-it, futbollisti që ëndërronte të bëhej polic


Në finalen e Kupës së Botës 1974, Gjermania Perëndimore triumfoi me avantazh të ngushtë ndaj Holandës në Mynih.

“Panzerat”, të udhëhequr nga Franz Beckenbauer-i dhe Gerd Muller-i fituan 2-1 në “Olimpiastadion” dhe privuan “tulipanët” e Johan Cruyff-it nga lavdia.

14 vjet më vonë, Holanda mori hak në Hamburg. Në gjysmëfinalen e Evropianit, holandezët triumfuan me golat e Marco van Basten-it dhe Ronald Koeman-it, para se të fitonin edhe ndaj Bashkimit Sovjetik në finale.

Holanda dhe Gjermania kanë qenë rivale për më shumë se 50 vjet në futboll. Por, mes kësaj përplasjeje, do të gjente veten që në rininë e hershme edhe Robin Gosens-i.

I lindur në Emmerich am Rhein, Gjermani, nga një baba holandez dhe një nënë gjermane, ai ishte mes kësaj përplasje të vazhdueshme, të cilës do t’i jepte fund më 3 shtator 2020. Pikërisht në këtë datë, ai vendosi që të përfaqësonte Kombëtaren e Gjermanisë.

Në një intervistë të dhënë në vitin 2020 për DFB-në, ai tha se “Doja të bëhesha polic. Isha mjaft i sigurt për këtë. Kur gjyshi më futi për herë të parë në makinën e tij të policisë, kur isha 7 vjeç, mendova se do të ndiqja gjurmët e tij”.

Por, jeta i kishte rezervuar diçka krejtësisht ndryshe nga çfarë ai kishte menduar apo ëndërruar kur ishte i vogël.

Duke u rritur si një tifoz i guximshëm i Schalke-s, pranë kufirit holandez në fshatin e vogël Elten, Gosens-i luajti nëpër klube të ndryshme të vogla në North Rhine-Westphalia.

Ai mendoi se e kishte humbur shansin e tij për t’u bërë futbollist profesionist pasi u refuzua nga Borussia Dortmund-i U-19. Megjithatë ai këtë rast e pa si një “bekim”, pasi si tifozë i Schalke-s do të ishte më mirë që të mos shkonte në Dortmund.

Fati ishte me të, kur një zbulues talentesh i skuadrës holandeze të Vittese-s e ftoi të kryente një provë te këta të fundit. Gosens-i iu bashkua akademisë së Vitesse-s më 4 korrik 2012, dhe një vit më vonë, ai nënshkroi kontratën e tij të parë profesionale.

Më pas ai do të bashkohej me skuadrën tjetër holandeze, Dordrecht-in, në formë huazimi më 14 janar 2014 dhe shumë shpejt u bë titullar i padiskutueshëm.

Ndërsa ai u përdor kryesisht në qendër të mesfushës gjatë muajve të tij të parë në Holandën e Jugut, Gosens-i u zhvendos në pozicionin e krahut të majtë në mes të sezonit 2015/16.

Ai dështoi të parandalonte Dordecht-in që të kthehej në Eerste Divisie, por paraqitjet e tij tërhoqën vëmendjen e Heracles Almelo-s, të cilët e nënshkruan atë si transferim të lirë.

Në moshën 21-vjeçare, Gosens-i shënoi tre gola dhe dha tre asistime. Ndërsa, Heracles-i përfundoi i gjashti në ligë, duke u kualifikuar në garat evropiane për herë të parë në historinë 113-vjeçare të klubit.

Ai u luajti disa pozicione në fushë nën drejtimin e, John Stegemen-it, duke bërë mbrojtësin e djathtë, mesfushorin qëndror dhe në krahun e majtë. Megjithëse ai e forcoi pozicionin e tij në linjën e majtë të mbrojtjes në sezonin 2016/17.

Pas një periudhe pesë-vjeçare në Holandë, Gosens-i iu bashkua Atalanta-s më 2 qershor 2017, për një shumë prej 900 mijë eurosh.

Ai shpesh e gjente veten në pankinë në sezonin e tij të parë në Bergamo. Por, hyri në njëmbëdhjetëshen e parë në mars 2018, pasi Leonardo Spinazzola ishte jashtë fushave si pasojë e një dëmtimi afatgjatë në gju.

Ai forcoi pozitat për një vend startues sezonin e ardhshëm, duke dhënë paraqitje të shkëlqyera në pozicionin e krahut të majtë në 3-4-2-1 e Gian Piero Gasperini-t, teksa Atalanta u kualifikua në Champions League për herë të parë në historinë e saj.

Në sezonin pasardhës, atë 2019/20, Gosens-i kreu 43 paraqitje në të gjitha garat për Atalanta-n. Gjermani arriti të realizonte 10 gola dhe tetë asiste. Atalanta shkonte në çerekfinalen e Champions League-s dhe përfundonte e treta në Serie A.

Sezonin e radhës 2020/21, Gosens-i vijoi procesin e rritjes së tij. Në 44 paraqitjet me zikaltirit në të gjitha garat, ai shënoi 12 gola dhe dhuroi tetë asiste. Atalanta shkonte deri në raundin eleminator të Champions-it, në finalen e Kupës së Italisë dhe përsëri në vendin e tretë në Serie A.

Pas paraqitjve të mira me Atalanta-n, ai u thirrë nga Joachim Low për Euro 2020. Ai filloi si titullar të katër ndeshjet në grup. Për t’u theksuar është paraqitja e tij në fitoren 4-2 ndaj Portugalisë, ku shënoi një gol dhe dhuroi dy asiste.

Gjithsesi, Euro 2020 ishte një fushatë e vështirë për “panzerat”, por Gosens-i ishte aspekti pozitiv i tyre.

Edhe sezonin aktual, 2021/22, gjermani e nisi me këmbën e mbarë. Ai shënoi një gol dhe asistoi dy herë në tetë ndeshjet e para. Por, një dëmtim në përballjen me Young Boys-in në Champions, po e mban atë larg fushave që nga shtatori i 2021.

Në moshën 27-vjeçare, Gosens-i është shfaqur si një nga mbrojtësit e krahut më “vdekjeprurës” në futbollin evropian.

Gosens-i pritet që së shpejti të zyrtarizohet si lojtari më i ri i Inter-it. Ai do të kalojë në huazim gjashtë mujor me të drejtë blerje për 25 milionë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore