Lajme

Suedia shpall kryeministren e parë grua


Parlamenti i Suedisë shpalli të mërkurën lideren e re e partisë Social Demokrate, Magdalena Andersson, si kryeministren e parë femër të vendit.

Ish-ministrja e financave do të zëvendësoj ish-kryeministrin, Stefan Lofven, i cili hoqi dorë nga posti në fillim të këtij viti.

Zhvillimi shënoi një moment historik për Suedinë, e cila është parë në dekada si vendi më progresiv i Evropës kur bëhej fjalë për marrëdhëniet gjinore, por që ende nuk kishte një grua në postin kryesor politik.

Qeveria e Lofven e ka përshkruar veten si “feministe”, duke e vendosur barazinë midis grave dhe burrave në qendër të politikave kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në një fjalim në parlament, Amineh Kakabaveh, një ligjvënëse e pavarur që mbështeti Andersson teksa kujtoi 100 vjetorin e vendimit të së drejtës universale të votës në vendin skandinav, bëri gjithashtu thirrje për një përfshirje më të gjerë në vendimet politike.

“Nëse gratë lejohen vetëm të votojnë, por nuk zgjidhen kurrë në postin më të lartë, demokracia nuk është e plotë”, tha Kakabaveh, e cila është me origjinë kurde iraniane.

Në parlamentin suedez me 349 vende, 117 ligjvënës votuan pro Andersson, 174 e refuzuan dhe 57 abstenuan, teksa një ligjvënës mungonte.

Opozita hodhi 174 vota kundër Andersson, por sipas Kushtetutës suedeze, kryeministrat mund të emërohen dhe të qeverisin për sa kohë që shumica parlamentare, një minimum prej 175 ligjvënësish nuk është kundër tyre.

Lofven do tё udhëheq qeverinë suedeze derisa të formohet qeveria e re, e cila pritet të premten.

Andersson ka të ngjarë të formojë një qeveri dypartiake me socialdemokratët e saj dhe Partinë e Gjelbër

Andersson, 54 vjeç, u përpoq të siguronte mbështetjen e dy partive më të vogla që mbështetën qeverinë e mëparshme të qendrës së majtë, minoritare të Suedisë, të udhëhequr nga Lofven – Partia e Majtë dhe Partia e Qendrës. Megjithatë, të dyja abstenuan.

Teksa pas ditësh bisedimesh, Andersson dhe partia e majtë arritën më në fund një marrëveshje.

Marrëveshja u fokusua për një shtesë deri në 1 mijё korona për pensionet, për rreth 700 mijё pensionistë me të ardhura të ulëta.

Zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme të Suedisë do të mbahen më 11 shtator 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore