Lajme

Suedia, një vit më vonë: pa lockdown dhe maska


Pa bllokime dhe maska. Suedia është një nga vendet që ka zgjedhur qasjen më pak kufizuese ndaj Covid-19, duke u përpjekur të mbrojë ekonominë dhe duke besuar në distancimin spontan të vendosur nga qytetarët.

“Më gjykoni për një vit,” komentoi epidemiologu i Agjencisë Suedeze të Shëndetit Publik Anders Tegnell, i cili menaxhonte urgjencën shëndetësore, dymbëdhjetë muaj më parë.

Dhe, tani që koha ka kaluar, mund të bëhet një vlerësim fillestar, shkruan Huffington Post.

Që nga pranvera e vitit 2020, rastet janë rritur në vend dhe numri i të vdekurve krahasuar me popullsinë është bërë ndër më të lartat në Evropë.

Deri më sot ka rreth 13 mijë viktima, një nga më të lartat në Skandinavi. Më shumë se një vit pas fillimit të pandemisë, infeksionet nuk tregojnë asnjë shenjë dobësimi dhe imuniteti i dëshiruar i tufës ka mbetur një mirazh.

Politika ‘e butë’ nuk mbrojti plotësisht as ekonominë kombëtare: GDP-ja ra me rreth 3%, më mirë se mesatarja evropiane, por e ngjashme me rënien në vendet e tjera nordike që kanë zgjedhur lockdown-in.

Revista amerikane “The New Yorker” ofroi një pamje shteruese të situatës suedeze, në një artikull të titulluar Eksperimenti Pandemik i Suedisë.

Historia është ajo e një viti në të cilin qeveria e Stokholmit ka zgjedhur të ndjekë indikacionet e epidemiologut të Agjencisë Suedeze të Shëndetit Publik Tegnell. Ky i fundit, megjithë rekomandimet e organeve ndërkombëtare të shëndetit publik, gjithmonë ka qenë i bindur se provat shkencore mbi efektivitetin e maskave ishte i pakët.

Edhe për mbylljet dhe kufizimet, eksperti ishte skeptik, duke besuar se nuk kishte prova të caktuara të një korrelacioni midis lockdown-it dhe uljes së përhapjes së Sars-Cov-2.

Mjeti i vetëm që nuk është vënë në diskutim ka qenë distancimi fizik, i ushtruar natyrshëm nga popullata.

New Yorker kujton sesi qasja suedeze, gjatë këtij viti, u mirëprit nga shumë shtete, madje edhe jashtë Evropës. Për shembull, në Minesota, SHBA, aktivistët e krahut të djathtë në protestat kundër lockdown-it ngrinin tabela që lexonin “Bëhu si Suedia”.

Drejtimi i epidemiologut të Agjencisë së Shëndetit Publik të Stokholmit, në fillim, ishte i përbashkët me atë të Kryeministrit Britanik Boris Johnson.

Asokohe besohej se imuniteti i tufës së shpejti do të arrihej, mbylljet dhe bllokimet nuk do të ishin funksionale për arritjen e saj .

MB-ja, u vu në provë nga shkalla e lartë e vdekjeve dhe shtrimeve në spital të valës së parë, megjithatë, ndryshoi mendim pothuajse menjëherë.

Suedia ka një popullsi prej rreth 10 milionë njerëz (20% e suedezëve jetojnë në Stokholm).

Në prill 2020, studiuesit nga Universiteti i Uppsala-s, duke përshtatur një model nga Imperial College London, kishin llogaritur që, duke vazhduar me pak kufizime, 50% e subjekteve të brishtë suedez do të infektoheshin brenda tridhjetë ditësh, duke shkaktuar mbi 80 mijë vdekje, brenda muajit korrik.

Pavarësisht gjithçkaje, numri i të vdekurve nuk ka arritur nivele të tilla. Për cilat arsye?

Në një artikull tjetër të botuar në The New Yorker nga Siddhartha Mukherjee, vërehet se është një “mister epidemiologjik”. Mund të jetë, për shembull, që pavarësisht paraqitjes, politikat suedeze nuk kanë rezultuar të jenë aq “të lehta”.

“Liritë e vogla të lejuara, restorantet, baret, festat, e bënin Suedinë të dukej jashtëzakonisht e lejueshme. Por shumica e klasave të shkollës së mesme dhe kolegjit në Suedi u zhvilluan në internet. Qëndrimi në shtëpi ishte fakultativ, por të dhënat e telefonisë celulare tregojnë se suedezët kanë zvogëluar ndjeshëm lëvizjet e tyre”, – lexon revista amerikane.

Në fund të fundit, theksohet se masat e miratuara nga Suedia, edhe pse relativisht të lehta, kanë qenë mjaft të qëndrueshme gjatë muajve, duke shmangur një efekt ‘yo-yo’.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore