Libra

“Sublimja filozofike”


Ndjenja të forta të përzjera mes frikës dhe mahnitjes, mes ndjenjës së vogëlsisë njerëzore dhe perceptimit të madhështisë së gjithësisë ose natyrës, përbëjnë atë që filozofët ndër shekuj e kanë quajtur “Sublime”.

Është një përjetim estetik i pafundësisë universale në raport me fundësinë njerëzore, një bukuri e frikshme, thënë si oksimoron; një madhështi që bën njeriun të tejkalojë egon dhe individualitetin (ndashmërinë, in-dividen, të brenda ndashmen) dhe të shkrihet në totalitetin e jetës dhe përvojës që i shtrihet para mendjes dhe shqisave të njeriut.

Filozofi irlandez Edmund Burke sublimen e trajtonte në terma kundërthënës si frikë e kënaqshme, qetësi të përzjerë me drithërimë.

Filozofi gjerman Immanuel Kant e shihte si kënaqësi negative në të cilën mendja jo vetëm që tërhiqet nga bukuria ose madhështia e objektit të perceptuar, por të njëjtën kohë edhe reciprokisht shtyhet mbrapa prej tij.

Sublimja e tejkalon të bukurën e thjeshtë si harmoni, simetri, plotëpjestueshmëri e pjesëve në raport me tërësinë, rend, rregull, aranzhim i kënaqshëm për syrin.

Disa sublimen e lidhin edhe më përvoja spirituale, religjioze, mistike, si qasje në një realitetit të hyjnor, transcendent, të jashtëbotshëm.

Edmund Burke sublimen e cilësonte si ndjenja më e fortë që njeriu ka kapacitete mendore dhe emocionale ta ndjejë, dhe për këtë arsyeja sublimja në njëfar mënyre e përjashton njeriun nga participimi në madhështinë e mrekullueshme por të frikshme.

Kanti mendonte se kjo përvojë e sublimes na tregon vogëlsinë dhe peshën ekzistenciale njerëzore në raport me tërësinë e universit, por të njëjtën kohë vetë fakti se jemi të vetëdijshëm për këtë madhështi, se e kapim transcendencën e saj, na tregon se jemi agjentë moral që mund të futemi në sistematicitetin e natyrës dhe gjithësisë.

Në njërën anë të medaljes, ne jemi inferorë ndaj natyrës, por në medaljen tjetër, ne ngritemi mbi të.

Edhe Schopenhauer, me doktrinën e tij të vullnetit, e sheh se sublimja shfaqet si rezistencë dhe kërcënim ndaj vullnetit individual dhe arritja e sublimes bëhet kur vullneti individual dëshirues, e kontemplon objektin e saj në mënyrë të painteresuar, por thjesht si objekt i përjetshëm, platonik, që transcendon shijet dhe dëshirat individuale, dhe participon në përjetësinë dhe fuqinë e saj.

Schopenhauer shkruan se “Kur humbasin veten në kontemplimin e shtrirjes së pafundme të botës në hapësirë dhe kohë, atëherë ne e shohim veten të reduktuar në asgjë, e ndjejmë veten si individë, si trupa jetues, aparenca tranzitore të vullneteve tona, si pika uji në oqean, që shuhen, që shkrihen në asgjënë. Por të njëjtën kohë, vetëdija jonë e këtupërkëtushme na bën të kuptojmë se këto botë ekzistojnë vetëm si përfytyrimet tona”.

“Madhësia dhe pesha botës, që ne e përjetonim si të parehatshme, tani bëhet vetëm akt i vetëdijeve tona  (këtë vetëm filozofia na e bën të qartë), ne bëhemi një me botën, dhe në këtë mënyrë nuk rrëzohemi poshtë, por ngritemi, ngritemi nga intensiteti i saj”.

Përvoja sublime, sipas Schopenahuer-it, vie si pasojë e dualitetit tonë natyror, në njërën anë të botës si përfytyrim subjektiv, dhe në anën tjetër si subjekte voluntare, që janë rrymim në valën e madhe të rrymës së Vullnetit. E gjithë natyra është vullnet i ngurtësuar, ose thënë në gjuhën e tij, e objektifikuar.

Sublimja, si përvojë estetike, por edhe ekzistenciale, është interpretuar si një ndjenjë e dykuptimshme, në njërën anë si dëshmi shpirtërore e drejtëpërdrejtë për vogëlsinë dhe parëndësinë njerëzore në raport me gjithçkanë, dhe në anën tjetër si qendër e vetëdijes, e dijes, lirisë dhe vlerës njerëzore në univers.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore