Lajme

Stuhi tropikale në Japoninë verilindore, preken disa gara olimpike


Një stuhi tropikale që shkon drejt Japonisë verilindore parashikohet të sjellë reshje të dendura shiu, erëra të forta dhe valë të larta në rajonin e Tokios dhe tashmë ka prekur disa ngjarje të Lojërave Olimpike.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë parashikoi që Nepartak-u do të sillte mot të stuhishëm dhe valë të larta në Japoninë verilindore para se të binte në tokë rreth mesditës të së mërkurë në veri të rajonit të kryeqytetit.

Stuhia tropikale kishte erëra 72 kilometra në orë rreth mesditës të martën në afërsi të Chiba-s në bregdetin qendror-lindor të Japonisë dhe po lëviz ngadalë në veri-veriperëndim tha agjencia.

U parashikua që stuhia do të ruante forcën e saj aktuale gjatë ditës, por do të dobësohej përpara se të binte në tokë rreth mesditës së të mërkurës pranë qytetit të Akita-s, rreth 570 kilometra në verilindje të Tokios.

Paralajmërime për stuhi dhe valë të larta u lëshuan për prefekturat Miyagi dhe Fukushima.

Stuhia tropikale ka prekur disa gara olimpike, dhe disa ngjarje surfimi të planifikuara për të mërkurën u zhvendosën të martën.

Lojërat Olimpike

Nga 23 korriku deri më 8 gusht, Tokio do të jetë jo vetëm kryeqyteti i Japonisë, por edhe ai i sportit olimpik, ku do të marrin pjesë sportistë nga gjithë bota, mes tyre edhe shqiptar.

Lojërat Olimpike Verore ishin programuar për t’u luajtur gjatë vitit 2020, por për shkak të pandemisë së COVID-19 u shtynë për këtë vit, por dukej se edhe ky vit nuk ishte i duhuri për Japoninë, që ka pak kohë që po njeh ulje të numrit të infeksioneve me coronavirus.

Megjithë kërkesën e autoriteteve shëndetësore dhe apelit të politikës japoneze për shtyrjen e tyre, ose së paku mos hapjen e stadiumeve, gjithçka iu la në dorë, Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe ishin këta të fundit që vendosën në mënyrë përfundimtare organizmin e lojërave në datat e përcaktuara. Por, ato po zhvillohen nën masa të rrepta anti-COVID.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore