Lajme

Stuhi ere në shtetet amerikane pas shkatërrimit nga tornadot


Meteorologët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë treguar se një stuhi e çuditshme ere ka sjellë shpërthime më shumë se 100 milje për orë në pjesë të Rrafshinave të Mëdha.

Këto kushte të vështira atmosferike vijnë në më pak se një javë kur tornadot e fuqishme shkatërruan Kentucky-n dhe katër shtete të tjera.

E përditshmja “The Guardian” zbulon se sistemi me presion të ulët i erës, i nxitur nga temperaturat jashtëzakonisht të larta, ka bllokuar autostradat në Kansas-in perëndimor.

Gjithashtu ka shkaktuar tornado të raportuara në Nebraska dhe Iowa dhe ka ngritur shqetësime për zjarret për shkak të nxehtësisë së pazakontë.

Në katër shtete amerikane, sistemi i fuqishëm i stuhisë ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike, duke përfshirë më shumë se 100 mijë shtëpi dhe biznese në Colorado.

Sipas zyrtarëve shtetërorë, erërat kanë ngritur pluhur, duke ulur dukshmërinë në zero në perëndim të Wakeeney-t dhe Kansas-it.

Prandaj dhe zyrtarët e Kansas-it u detyruan të mbyllnin të gjitha autostradat shtetërore në nëntë qarqe në Kansas-in veriperëndimor.

Ndërkaq, Shërbimi Kombëtar i Motit ka treguar se ka pasur 13 raportime tornadosh në shtetet Plains, të shpërndara nëpër Nebraska-n lindore dhe Iowa.

Dhe se erërat arrinin 70 milje për orë në pjesën më të madhe të Kansas-it, Nebraska-s dhe Iowa-s.

“Të ketë këtë numër stuhish të dëmshme të erës në të njëjtën kohë do të ishte e pazakontë në çdo kohë të vitit”, ka thënë Brian Barjenbruch, meteorolog i Shërbimit Kombëtar të Motit në Valley, Nebraska.

“Por të ndodhë kjo në dhjetor është vërtet anormale”, ka theksuar ai.

Për autoritetin, sistemi i stuhive mund të godasë edhe rajonin me stuhi dhe borë.

“Ka pasur kushte historike pa dukshmëri në pjesë të New Mexico-s dhe Colorado-s”, ka thënë Marc Chenard, një parashikues për Qendrën e Parashikimit të Motit të Shërbimit Kombëtar të Motit në College Park, Maryland.

“Kjo është shumë e pazakontë. Po zhvendoset në lindje dhe është e pazakontë për këtë zonë të madhe, ajo do të kalojë nëpër zonën e Liqeneve të Mëdha, Michigan dhe në Kanada”, ka treguar Chenard

E gjitha vjen pas tornadove shkatërruese fundjavën e kaluar.

Shërbimi Kombëtar i Motit ka nxjerrë ​​​​një paralajmërim për erëra të forta për një zonë që shtrihet nga New Mexico në Michigan të sipërm, duke përfshirë Wisconsin dhe Illinois.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore