Lajme

Studimi/ Varianti afrikan i coronavirusit depërton mbrojtjen nga vaksina Pfizer


Studimi izraelit tregon Pfizer-BioNTech është më pak i fuqishëm kundër variantit B.1.351 (varianti afrikan) sesa kundër mutacioneve të tjera të COVID-19.

Varianti afrikan i coronavirus-it arriti të depërtojë deri në një farë mase mbrojtjen e ofruar nga dy dozat e të vaksinës Pfizer-BioNTech, megjithatë mbetet e paqartë se sa efikasitet humbet, shkruhet në studim.

Hulumtimi, i publikuar të shtunën, krahasoi gati 400 njerëz që dolën pozitiv më COVID-19 dy apo më shumë javë pasi kishin marrë njërën apo dy dozat e vaksinës, përkundrejt të njëjtit numër të pacientëve të pavaksinuar më parë.

Sipas studimit nga Universiteti i Tel Avivit, varianti i Afrikës së Jugut, B.1.351, u zbulua se përbën rreth 1% të të gjitha rasteve me COVID-19 në të gjithë personat e studiuar.

Në mesin e pacientëve që kishin marrë dy doza të vaksinës, shkalla e prevalencës së variantit afrikan ishte tetë herë më e lartë se tek të pavaksinuarit 5.4% kundrejt 0.7%.

Kjo sugjeron që vaksina është më pak e efektshme kundër variantit të Afrikës së Jugut, krahasuar me coronavirus-in origjinal apo variantin e identifikuar së pari në Britani.

“Ne gjetëm një normë disproporcionale më të lartë të variantit të Afrikës së Jugut midis njerëzve të vaksinuar me dy doza, krahasuar me grupin e pavaksinuar. Kjo do të thotë që varianti i Afrikës së Jugut është në gjendje, në një farë mase, të depërtojë në mbrojtjen e vaksinës”, tha Adi Stern, profesori i Universitetit të Tel Aviv, i cili drejtoi edhe studimin.

Pfizer dhe BioNTech akoma nuk dhanë komente për studimin.

Bazuar deklaratës së fundit të kompanive, ata thanë se vaksina e tyre ishte rreth 91% efektive në parandalimin e COVID-19.

Disa studime të mëparshme kanë treguar që Pfizer-BioNTech ishte më pak i fuqishme kundër variantit B.1.351 sesa kundër të tjerëve të coronavirus-it, por gjithsesi mbrojtja ishte e fortë.

Sipas Stern, edhe pse rezultatet e studimit mund të shkaktojnë shqetësim, prevalenca e ulët e llojit të Afrikës së Jugut është inkurajuese.

“Edhe nëse varianti i Afrikës së Jugut e kalon mbrojtjen e vaksinës, ai nuk është përhapur gjerësisht në popullatë”, tha Stern.

Izraeli numëron 9.3 milionë banorë dhe pothuajse 53% e tyre kanë marrë të dyja dozat e vaksinës Pfizer-BioNTech.

Qeveria izraelite ka rihapur kryesisht ekonominë javët e fundit pasi pandemia shfaqet në rënie. Norma e infektimeve, sëmundjet e rënda dhe shtrimet në spital ranë ndjeshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore