Lajme

Studimi gjerman për ndihmat e dërguara Ukrainës: Realiteti larg pritshmërive


Një think tank gjerman ka renditur vendet, të cilat po e ndihmojnë më shumë Ukrainën dhe renditja ka aspekte befasuese.

Sipas të dhënave, Letonia po kontribuon më shumë në armë sesa shumë shtete të tjera.

E gjithë kjo ndërkohë që edhe në Shtetet e Bashkuara vëmendja për luftën duket se po zbehet (ndërsa shqetësimi për inflacionin ose kthesën “anti-SHBA” të Amerikës Latine rritet).

Kjo u zbulua nga një studim i një think tank gjerman që denoncon hendekun e madh midis premtimeve dhe realitetit.

“Vendet kryesore evropiane po ofrojnë shumë pak ndihmë ushtarake për Ukrainën”.

Realiteti e sheh një Evropë shumë më të përkushtuar për të subvencionuar përparimin e egër të Vladimir Putin duke vazhduar t’i paguajë atij gazin dhe naftën.

Ajo që ne bëjmë për Ukrainën është për të qeshur, siç shpjegon studimi i Institutit Kiel për Ekonominë Botërore.

Shuma totale e ndihmës së premtuar nga Perëndimi për Zelenskyn nga fillimi i luftës deri më 7 qershor arrin në 85 miliardë euro.

Por, brenda kësaj shifre ka gjithçka, është një shtesë e ndihmës ekonomike, humanitare dhe ushtarake.

Duke e zbërthyer atë total sipas vendeve të origjinës, Shtetet e Bashkuara kanë pjesën më të madhe me premtime për ndihmë që arrijnë deri në 42.7 miliardë euro.

Në krahasim, ndihma që qeveritë e Bashkimit Evropian janë zotuar të japin është e ulët: të gjitha së bashku arrijnë në 27.2 miliardë euro.

Siç vënë në dukje nga autorët e hulumtimit gjerman, “është e çuditshme që vetëm Shtetet e Bashkuara kanë premtuar shumë më tepër se të gjitha vendet e BE-së së bashku, duke pasur parasysh se kjo luftë është duke u ndezur në afërsi të BE-së”.

Por përballja e hidhur me realitetin vjen kur kalojmë nga premtimet në fakte.

Një gjë janë efektet e njoftimit, shpalljet e bëra nga qeveritë për t’i dhënë vetes një ndërgjegje të pastër dhe garantuar se po ndihmojnë një popull të sulmuar dhe të shtypur.

Furnizimet reale janë një gjë tjetër.

Sidomos në fushën ushtarake, hendeku është thelbësor. Edhe Washington-i është shumë prapa, pasi ka dhënë vetëm 48% të ndihmës së premtuar ushtarake (armë, inteligjencë, stërvitje) ose më pak se gjysmën.

Për më tepër, studimi i Institutit Kiel zbulon se vetëm 10% e kësaj ndihme ushtarake amerikane janë armë të vërteta si helikopterë apo raketa. Që këtu e tutje, gjërat përkeqësohen.

Menjëherë pas Shteteve të Bashkuara vjen Polonia, e cila është i vetmi vend që ka dhënë të gjithë ndihmën e premtuar ushtarake.

Më pas, me radhë: Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Norvegjia, Estonia. Letonia.

Por, ku janë evropianët e mëdhenj? Mungojnë në veprim.

Letonia ka 1.8 milionë banorë, më pak se metropoli i Milanos, megjithatë ka bërë një përpjekje për furnizim ushtarak më të lartë se ajo e Gjermanisë, Francës dhe Italisë.

Larg nga “nxitja” e ukrainasve për të luftuar “me prokurë” (dy argumente që përsëriten në narrativën e shtrembëruar të Putinianëve të Italisë), Perëndimi po e ndihmon Kievin me pikatore, duke mos kursyer fondet e Putinit.

Dhe vëmendja ndaj luftës po pakësohet edhe në atë Amerikë që Putinianët e përshkruajnë si drejtor djallëzor të luftës.

Kjo u denoncua nga ish-kampioni rus i shahut Garry Kasparov, sot një kundërshtar i paepur (në mërgim) i Putinit, i cili drejton OJQ-në Renew Democracy Initiative.

Në një shkrim në Wall Street Journal, Kasparov vuri në dukje se në intervistën e fundit të Joe Biden – në Jimmy Kimmel Live! – Presidenti i Shteteve të Bashkuara foli për 23 minuta pa përmendur një herë Ukrainën.

Ai foli gjerësisht për inflacionin, hetimin parlamentar për sulmin në Kapitol më 6 janar 2021, kontrollin e armëve dhe abortin.

Për gjithçka, por jo për luftën.

Në një front tjetër, shumë të largët, por jo margjinal për të matur ndikimin global të Amerikës dhe bashkë me të të Perëndimit: të mos e nënvlerësojmë fitoren në Kolumbi të presidentit të parë të majtë në historinë e atij vendi.

Gustavo Petro, presidenti i Kolumbisë

Para kësaj ishte radha e Kilit.

Meksika tashmë ka një populist të majtë në presidencë. Nëse shtoni zgjedhjen e mundshme të socialistit Lula në Brazil këtë vjeshtë, do të thotë se do të kemi një shumicë qeverish të Amerikës Latine me një gjurmë socialiste, me pikëpamje të politikës ndërkombëtare që ndryshojnë nga ato të Washington-it.

Tashmë, megjithatë, e gjithë Amerika Latine po refuzon t’u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë.

Meqenëse gjeopolitika nuk e toleron zbrazëtinë, ku ndikimi i SHBA-ve zvogëlohet, ato të Moskës dhe Pekinit përparojnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore