Shëndet

Studime shkencore: Simptoma 6 muaj pas Covid-19


Një studim i ri shkencor i realizuar në Kinë, botuar në revistën mjëksore “The Lancet”, ka arritur në rezultatin se tre nga katër pacientë të shtruar në spitalet Covid-19, vazhdojnë të shfaqin të paktën një simptomë të sëmundjes edhe gjashtë muaj pasi u sëmurën.

Shkencëtarët, studiuan të dhëna nga 1 mijë e 733 pacientë në një moshë mesatare 57 vjeç, në Wuhan, kryeqendrën e pandemisë.

Në studim u zbulua se 76% e pacientëve kishin një ose më shumë simptoma gjashtë muaj pas diagnozës fillestare të infeksionit.

Simptoma më e zakonshme është lodhja ose dobësia e muskujve në 63% të pacientëve, pra pothuajse dy nga tre pacientë; ndërsa vështirësia për të fjetur ishte për 26% ose një në katër dhe ankthi ose depresioni në 23%.

Shumë nga pacientët që kaluan Covid-in, pas dëmtitmit të mushkërive, kishin probleme me frymëmarrjen edhe pas gjashtë muajsh.

Studimi lë gjithashtu të hapur pyetjen se sa i mundshme është një ri-infeksion.  Tek pacientë të infektuar më parë,  pas gjashtë muajsh, janë gjetur nivele më të ulëta të antitrupave neutralizues  (reduktim me 53%, pra më shumë se gjysma), krahasuar me fazën akute fillestare të infeksionit.

“Për shkak se Covid-19 është një sëmundje kaq e re, ne vetëm tani kemi filluar të kuptojmë disa nga efektet e saj afatgjata në shëndetin e pacientit. Analiza jonë tregon se shumica e pacientëve vazhdojnë të jetojnë me të paktën disa nga efektet e coronavirusit pas daljes nga spitali, veçanërisht ata që kanë pasur një infeksion serioz”, tha Bin Kao, një profesor i pulmonologjisë dhe kujdesit intensiv në Universitetin Mjekësor Peoki në kryeqytetin kinez për revistën “The Lancet”./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore