Lajme

Studentja saudite dënohet me 34 vjet burg për përdorimin e Twitter-it


Një studente saudite është dënuar me 34 vjet burg për llogarinë në Twitter dhe për ndjekjen dhe ripostimet e disidentëve dhe aktivistëve.

Dënimi nga gjykata speciale saudite u dha javë pas vizitës së presidentit amerikan Joe Biden në Arabinë Saudite.

Për të, aktivistët e të drejtave të njeriut kishin paralajmëruar se mund të inkurajonte mbretërinë të përshkallëzonte shtypjen e saj ndaj disidentëve dhe aktivistëve të tjerë pro-demokracisë.

Po ashtu rasti shënon shembullin e fundit se si princi i kurorës Mohammed bin Salman ka vënë në shënjestër përdoruesit e Twitter-it në fushatën e tij të represionit.

Ai njëherazi kontrollon një aksion të madh indirekt në kompaninë amerikane të mediave sociale përmes fondit të pasurisë sovrane të Arabisë Saudite.

34-vjeçarja Salma al-Shehab, nënë e dy fëmijëve të vegjël, fillimisht u dënua me tre vjet burg për “krimin” e përdorimit të një faqe interneti për të “shkaktuar trazira publike dhe destabilizuar sigurinë civile dhe kombëtare”.

Por një gjykatë apeli dha dënimin e ri për 34 vjet burg pasi një prokuror publik i kërkoi gjykatës të merrte në konsideratë krime të tjera të supozuara.

Sakaq, akuzat e reja përfshijnë pretendimin se Shehab po “ndihmonte ata që kërkojnë të shkaktojnë trazira publike dhe destabilizojnë sigurinë civile dhe kombëtare duke ndjekur llogaritë e tyre në Twitter”.

Nga të gjitha llogaritë, Shehab nuk shfaqet si një aktiviste e zëshme saudite.

Madje, e përshkruan veten si studente doktorature në Universitetin e Leeds dhe pedagoge. Po ashtu si nënë e dy djemve, Noah dhe Adam.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore