Lajme

Studentët të liruar apo jo nga pagesat?


Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës

Studentët e arsimit publik në vend, tek dy nivelet Bachelor e Master, nuk do të paguajnë më tarifat për paraqitje të provimeve. Kështu të paktën ka bërë të ditur organizata studentore “Studim, Kritikë, Veprim”, por e pa qartë ka mbetur çështja e pagesës së semestrit, ku edhe nga Ministria e Arsimit nuk kanë dhënë detaje për këtë pjesë.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, më anë të një postimi në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, ka shkruar se “Kosova ofron arsim falas, madje së fundmi edhe në nivelin e arsimit të lartë”, por pa dhënë detaje të tjera.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci

E njëjta, të enjten e nënë dhjetorit në takim gjatë prezantimit të raportit të Vlerësimit të Kartelës Matëse të Autonomisë Universitare në Kosovë, bëri të ditur se edhe Ligji i Arsimit të Lartë, pritet që të ndryshohet.

Sipas saj, është duke u punuar për një formulë të re të financimit të universiteteve.

“MASHTI do të fillojë edhe definimin e një formule të re të financimit për universitetet dhe institucionet e arsimit të lartë, të cilat marrin fonde nga buxheti publik dhe përmes së cilës iniciativë synohet që të rrisim përformancen e universiteteve”.

Duke pas parasysh shpenzimet e mëdha që kanë studentët, për Medina Ismajlin, e cila studion në Fakultetin e Mjekësisë, një veprim që i liron nga pagesat në fjalë, do ishte i qëlluar.

“Për neve që nuk jetojmë në Prishtinë, është më e lehtë pasi na ndihmon që t’i mbulojmë shpenzimet ditore“, tha Ismajli për Albanian Post.

Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës

Nënkryetari i Parlamentit Studentor, Fatlind Azizi, konsideron se kjo kërkesë është dashur të aprovohej që moti.

“Ky largim i pagesave për studentët që i nënshtrohen një provimi për disa herë, është dashur të bëhet që nga fillimi kur është publikuar UA 09/2021 i MASHTI-t, e jo të pritet deri në këtë kohë që do të bëj një tollovi tek studentët”.

Megjithatë, aprovimi i një vendimi të tillë lehtësoi punën e dy palëve, studentë dhe Universiteteve.

“Problemi më i madh qëndronte në pjesën procedurale kur studentët duheshin që të shkonin në fakultet, pastaj të paguanin në postë/bankë, pastaj të riktheheshin në fakultet për t’i dorëzuar fletëpagesat dhe kishte pritje shumë të mëdha para zyrave të referentëve”, u shpreh ai.

Por, komunikimi nuk duket që të jetë i efektshëm me ministren e Arsimit.

“Kemi shumë kërkesa që edhe ia kemi parashtruar Ministres Nagavci, por fatkeqësisht ende nuk kemi marrë përgjigje dhe në shumicën e rasteve po neglizhohen për shkaqe të kota politike”, tha ai për Albanian Post.

Nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, thonë që do jenë bashkëpunues me gjithsecilin që do kontribuojë rreth këtij vendimi.

“Universiteti i Prishtinës është i përkushtuar të vazhdoj të punoj për avancimin e cilësisë së veprimtarisë akademike dhe shërbimeve administrative, duke synuar të ofroj kushte më të mira për studime dhe çdo iniciativë e cila kontribuon në këtë drejtim është e mirëseardhur”, thuhet në një përgjigje për Albanian Post nga menaxhmenti i UP-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore