Studentët e mjekësisë sërish në protestë – të dorëhiqet zv.ministrja – Manastirliu të na presë në takim
Rajmonda Basha
09.10.2023 13:00Studentët e mjekësisë kanë vijuar protestën e tyre para Ministrisë së Arsimit.
Kjo, pasi kundërshtojnë ligjin që i detyron që pas studimeve të punojnë për 5 vite në Shqipëri.
Fillimisht, ata bllokuan hyrjen e godinës ku zhvillohet mësimi.
Ata u ulur këmbëkryq në tokë dhe bllokuan kryqëzimin në zonën e njohur edhe si 9-katëshet në Tiranë.
Gjithashtu kanë kërkuar dorëheqjen e zëvendëse së ministres së Arsimit Albana Tole, e cila ka deklaruar në një emision televiziv se studentët te cilët nuk bien dakord me kushtet e kontratës të ndërpresin studimet, t’i lenë përgjysmë.
“Ne studimet nuk i lëmë, por dorëheqja duhet dhënë”, duke kërkuar kështu dorëheqjen e zv.ministres së Arsimit Albana Tole. S’ka më heshtje, s’ka më pritje, ne studentët duam zgjidhje. “Mjekësia bojkoton, mjekësia proteston”, shkruhet në disa pankarta të tyre.
Po ashtu studentët kërkojnë një përballje publike me ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu, pasi sipas tyre ajo nuk ka pranuar ballafaqimin në studio televizive më herët.
Kujtojmë se Kuvendi i Shqipërisë pati miratuar projektligjin për studentët e Mjekësisë, i cili i detyron ata të punojnë në vendin e tyre për pesë vite pas diplomimit.
Ky projektligj u miratua me 71 vota pro, 23 kundër dhe asnjë abstenim.
Më parë, ish- ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Evis Kushi, u ndal te detajet teknike të projektligjit për punësimin e detyrueshëm të studentëve të Mjekësisë.
Ministrja specifikoi ndër të tjera se projektligji në fjalë për shkak të emergjencës do të prezantohet në Kuvendin e Shqipërisë me procedurë të përshpejtuar.