Film

“Stranger Things” solli gjithçka kishim pritur, por a e shpëton dot Netflix-in?


Sezoni i katërt i serisë origjinale nga Netflix, “Stranger Things”, është as më pak e as shumë, veçse gjithçka publiku ka pritur.

Më i madh, më i mirë, më gjakatar, me një histori progresive që bën tërësisht sens, instalimi i katërt i aventurave të adoleshentëve nga Hawkins, i kornizon – sërish – vitet ’80, si një celebrim i pop kulturës dhe horrorit të moderuar nga mendja magjike e vëllezërve Duffer.

Për shkak të gjendjes jo të mirë të balancave bankare të Netflix kohët e fundit dhe humbjes së madhe të abonimeve (me qindra mijëra brenda një muaji), “Stranger Things 4” mund të jetë edhe një mundësi shpëtimi për kompaninë.

Në fakt, Netflix po e ridimensionon strukturën e serialeve të veta, pasi caktoi trendin e lëshimit të serive vite më parë.

Tashmë, për të parë dy seritë e fundit të sezonit të katërt, duhet pritur ende një muaj.

Seritë finale do të jenë në transmetim më 1 korrik 2022.

Nga vetë Netflix, kjo është parë si një mënyrë për t’i ruajtur abonimet e shikuesve dhe për t’i mbajtur ata të mbërthyer në karrige, por se sa do të funksionojë, kjo nuk dihet.

E sigurt është se, të paktën, Netflix ka goditur me risjelljen në ekranin e vogël të sagës së “Stranger Things” dhe është një sinjal i mirë për prodhuesin amerikan të kinemasë së vogël.

Gjithsesi, ka dyshime se sa me sukses do t’ia dalin të ruajnë ndjekësit, me rivalitetin që këtë vit do të sjellë HBO me rikthimin në ekran të “Game of Thrones” dhe “Westworld”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore