Muzikë

Stili i grupit Destiny’s Child ishte më tepër se modë


Kanë kaluar 20 vjet që kur Destiny’s Child publikoi një nga albumet e tyre më të mira, “Survivor”, hitet e të cilit dëgjohen akoma si “Bootylicious”, “Independent Women” e “Nasty girl”.

Në grupin e vajzave, Destiny’s Child, dominonin treshja e famshme Beyoncé, Kelly Rowland dhe Michele Williams, por ky grup ndër vite kishte edhe anëtare të tjera, ndër të cilat ishin LeToya Luckett, LaTavia Roberson, Farrah Franklin e disa të tjera.

Destiny’s Child, përpos që ishin të njohura për këngët e shndërruara në hite, ato njiheshin edhe për veshjet e tyre të kombinuara me shumë stil dhe elegancë.

Si në skenë ashtu edhe në tapetin e kuq, treshja e kanë vendosur dimension tjetër të stilit nga i cili edhe u inspiruan grupet e tjera që erdhën në skenë pas tyre, si Blackpink e Fifth Harmony.

Tina Knowles, nëna e Beyoncé, shërbeu si stilistja e tyre zyrtare e kostumeve të tyre dhe shpesh i bënte veshjet vetë.

Për t’i krijuar veshjet e veçanta për grupin që po bënte sensacion në industrinë muzikore, ajo u frymëzua nga Motown dhe ikona të tilla si Grace Jones dhe Queen Latifah.

Në një situatë të tillë, Knowles zgjodhi që të vë në pah bukurinë e “racës së zezë” të cilën e kishin që të tria vajzat e Destiny’s Child.

Në një intervistë për prestigjiozen “The Washington Post”, Tina Knowles, tregoi se pas punës me Destiny’s Child, ajo u përball me një fluks kërkesash edhe nga yje të tjera të industrisë së muzikës si Britney Spears e Christina Aguilera.

Sipas nënës së Beyoncé, klipi i këngës “Survivor” ishte një mrekulli e llojit të vet. Veshja e kuruar deri në detaje dhe kimia “magjike” që Destiny’s Child’s kishin mes njëra tjetrës, e bënë këtë projekt akoma më të veçantë.

Aso kohe, në trend të muzikës ishte bashkimi i disa vajzave në një grup, siç vepruan vajzat e The Supremes apo edhe ato të Spice Girls, të cilat po ashtu ishin të famshme për koordinimin e tyre në projekte muzikore dhe paraqitje skenike.

Destiny’s Child kanë publikuar disa albume të cilat rezultuan të suksesshme, siç ishin; “The writing’s on the wall (1999)”, “Survivor (2001)”, “8 Days of Christmas (2001)” dhe “Destiny Fulfilled (2004)”.

Vajzat e grupit, Destiny’s Child, ndërprenë rrugëtimin e tyre në vitin 2006 duke vazhduar të ndërtojnë karrierë të profilit solo.

Që nga ai vit, ato u ribashkuan fare pak herë në skenë.

Në vitin 2013, Destiny’s Child, patën një performancë të shkëlqyer në finalen e Super Bowl, ndërsa hera e fundit që ato ndanë skenën bashkë ishte në festivalin Coachella në vitin 2018.

Albanian Post në vazhdim ju sjell disa nga paraqitjet më të bukura të Destiny’s Child gjatë paraqitjeve të tyre në tepihun e kuq të shumë evenimenteve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore