Shqipëria

Steinmeier thotë se Ballkani nuk është i harruar dhe Shqipëria ka bërë hapa vendimtare përpara


Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, mendon se Ballkani Perëndimor nuk është i lënë në harresë nga ana e Bashkimit Evropian dhe e përkufizon avancimin e Shqipërisë drejt integrimit si të rëndësishëm, me hapa vendimtare të bëra.

Kështu reflektoi ai gjatë një interviste për filialin e transmetuesit publik gjerman, Deutsche Welle, në shqip.

E gjithë kjo, përpara një vizite zyrtare, që ai do të zhvillojë në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, dy vendet ballkanike, të cilat së fundmi i kanë hapur negociatat me Bashkimin Evropian.

I pyetur nëse lufta në Ukrainë, një faktor i pamohueshëm në politikbërjen e muajve të fundit nga BE-ja, do të përshpejtojë apo jo rrugën integruese të Ballkanit në union, Steinmeier nuk e ka një përgjigje konkrete.

“Nuk e di, nëse do ta përshpejtojë”, shpjegon ai, “por udhëtimi im synon pikërisht të sinjalizojë se Ballkani Perëndimor nuk është aspak i lënë në harresë”.

Më tej, presidenti gjerman shton se është e kuptueshme që ka një padurim për integrimin e dy vendeve në strukturat evropiane.

Megjithatë, kjo gjë arrihet vetëm nëse progresi i caktuar arrihet. Është kështu, që rruga bëhet më e menaxhueshme.

Teksa, për afate të përcaktuara se kur anëtarësimi i plotë mund të ndodhë, veten, Steinmeier, nuk e përcakton si “profet”.

“Kjo varet nga vullneti i brendshëm për t’u reformuar dhe nga gatishmëria për t’i zbatuar realisht reformat”, vijon ai.

Në vëmendje për këtë, sjell edhe procese gjithëpërfshirëse, si ai i Berlinit, përmes të cilit, të gjashtë vendet e rajonit përftojnë nga bashkëpunimi.

Shqipërinë, e veçon edhe më tej, duke artikuluar rolin me rëndësi që vendi mbart në NATO, por edhe në Këshillin e Sigurimit, gjë e cila meriton njohje dhe respekt, sipas Steinmeier.

Teksa me rëndësi të lartë, cilëson edhe solidarizimin me Ukrainën, duke mos e lënë përshpejtimin e procedurave për këtë të fundit, lidhur me BE-në, të ndikojnë në rrugëtimin që Ballkani Perëndimor po ndjek prej vitesh tashmë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore