Sport

Stefano Pioli i kundërpërgjigjet kritikëve


Stefano Pioli u kundërpërgjigjet kritikëve të skuadrës së tij, pas suksesit shumë të rëndësishëm që Milani arriti përballë Romës në ndeshjen e fundit të xhiros së 24-të në Serie A.

“Kuqezinjtë” u rikthyen te fitorja pas dy humbjesh në ligë kundër Spezias dhe Interit, dhe dy barazimesh ndaj Crvenza Zvezdës në Ligën e Evropës, kështu duke treguar forcë dhe karakter përballë ekipit të Fonsecas.

Në konferencën e mbajtur për media, pas ndeshjes me Romën, Stefano Pioli vlerësoi paraqitjen e futbollistëve të tij, ndërsa shtoi se ky ekip nuk mund të hidhet poshtë pas vetëm dy humbjesh.

“U thashë futbollistëve të mi se dy ndeshjet e kaluara, nuk mund të na bëjnë të humbasim atë që kemi ndërtuar së bashku për më shumë se një vit. Shpresonim të paraqiteshim më mirë gjatë dy javëve të fundit, por ato paraqitje na dhanë më shumë motivim për t’u rikthyer edhe më të fortë”

“Në pjesën e parë ishim të mrekullueshëm, shpërdoruam shumë raste për gol, por në fund ia dolëm. Ne pranuam një gol, por skuadra e Romës është mjaftë e fortë. Djelmoshat meritojnë lëvdata për atë që dhanë në fushë” theksoi trajneri i Milanit.

Pioli gjithashtu krahason gjendjen e momentale, me atë të sezonit të kaluar të ekipit të tij.

“Ne jemi ende një ekip i ri në moshë, ndonjëherë jemi naivë, por kemi 17 pikë më shumë se sezonin e kaluar, gjithashtu jemi në garë edhe në Ligën e Evropës. Jemi në formë të mirë, pavarësisht që gabuam kundër Spezias dhe Interit, por mund të them se nuk ishim vetëvetja” shtoi ai.

Gjatë ndeshjes ndaj Romës, Ibrahimovic, Calhanoglu dhe Rebic dolën nga loja për shkak të lëndimit, dhe Pioli shpreson që të mos kenë asgjë serioze.

“Për momentin duket më shumë se ata ndien lodhje, se sa ndonjë lëndim serioz, por gjithsesi do të presim testet mjekësore se çfarë do të thonë. Është moment vendimtar i sezonit dhe shpresoj që të mos i humbasim ata për ndeshjet e radhës”. – përfundoi Stefano Pioli.

Stefano Pioli po kalon momente mjaftë të mira me Milanin, madje duke tejkaluar pritshmëritë e drejtuesve të klubit.

Milani aktualisht është në garë për titull kampion, ku ata gjenden në vendin e dytë në tabelë, me vetëm katër pikë më pak se Inter, dhe gjashtë pikë më shumë se Juventusi i vendit të tretë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore