Lajme

Starbucks mbyll biznesin në Rusi


Kompania amerikane ‘Starbucks’ njoftoi të hënën se do të largohet nga tregu rus pas pothuajse 15 vitesh.

Lajmi është raportuar nga agjencia Reuters.

Rrjeti më i madh në botë i kafeneve i është bashkuar një numri të markave kryesore perëndimore që po largohen nga Rusia për shkak të luftës kundër Ukrainës.

Starbucks ka 130 pika në Rusi, tërësisht në pronësi dhe operuar nga ‘Alshaya Group’, i cili punëson rreth 2 mijë njerëz.

Kompania nuk dha detaje mbi implikimet financiare të lëshimit.

Në fillim të marsit, Starbucks mbylli pikat e saj dhe pezulloi të gjitha aktivitetet tregtare në Rusi.

Kjo, duke përfshirë dërgimin e produkteve të saj në vend.

Starbucks, e cila hapi dyqanin e saj të parë në Rusi në vitin 2007, u shpreh se do të vazhdojë të mbështesë punonjësit e saj, duke përfshirë pagesën e rrogave për gjashtë muaj.

Mediat ruse raportojnë gjithashtu se Starbucks po mbyll subjektin e saj juridik rus.

Kujtojmë se më 16 maj McDonald’s njoftoi se kishte filluar procesin e shitjes së biznesit të tij rus, i cili përfshin 850 restorante me 62 mijë punonjës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore