Lajme

Stano pas takimit Dodik-Putin: Marrëdhëniet me Rusinë s’mund të jenë normale


“Marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të jenë normale me regjimin e Putinit, nën hijen e pushtimit të paprovokuar dhe të pajustifikuar rus të Ukrainës”.

Kështu tha zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë në gjuhën serbe, duke komentuar vizitën e Presidentit të Bosnjës dhe Hercegovinës, entiteti i Republikës Srpska, Milorad Dodik në Moskë, ku më 23 maj u takua me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

“Të mos harrojmë se është Putini ai që urdhëron dhe mbikëqyr shkeljen masive të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të drejtave të njeriut në Ukrainë, ku Rusia kryen mizori duke synuar pa dallim civilët dhe infrastrukturën civile, duke plaçkitur pronat dhe territoret e Ukrainës, ose duke rrëmbyer fëmijë”, tha Stano.

Stano theksoi se BE-ja dëshiron të llogarisë në të gjitha vendet kandidate si partnerë të besueshëm evropianë kur bëhet fjalë për parimet, vlerat, sigurinë dhe prosperitetin e përbashkët.

Dodik, është takuar të martën me presidentin rus, Vladimir Putin, të cilit i ka thënë ndër të tjera se “Republika Srpska e kupton se Rusia u detyrua të kryejë një operacion ushtarak” dhe në këtë mënyrë mbështeti drejtpërdrejt agresionin rus kundër Ukrainës.

“Ne mendojmë se Federata Ruse, e cila me këmbëngulje luftoi për kuadrin e saj të sigurisë dhe u përpoq t’i jepte ato garanci më parë, thjesht u detyrua në lidhje me këtë operacion ushtarak”, potencoi Dodik pas takimit me Putin-in.

Pas agresionit rus në Ukrainë, vendet Perëndimore i vendosen sanksione Rusisë, ndërsa Bosnje e Hercegovina së bashku me Serbinë; janë nga vendet e pakta të Evropës që nuk i janë bashkuar këtyre sanksioneve. Për ta penguar që BeH t’i vendos sanksione Rusisë, ndihmoi presidenti i RS-së, Dodik, duke mos lejuar që të merret një vendim i tillë.

Për këtë veprim ai u mburr para presidentit rus, por gjithashtu tek Putin-i ai u ankua se si reaksion i këtij vendimi – po përballet me presion nga ndërkombëtarët.

“Ne nuk lejuam marrjen e një vendimi formal për sanksione kundër Federatës Ruse dhe për këtë shkak u ekspozuam ndaj formave të ndryshme të presionit nga partnerët tanë perëndimorë në formën e sanksioneve dhe pezullimit të disa projekteve dhe programeve. Por ne vendosëm të mos bëhemi thjesht pjesë e histerisë që po krijohet, por të japim një shans për ta zgjidhur çështjen në nivel të Federatës Ruse dhe Ukrainës”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore