Lajme

Stano: Nëse Bislimi dhe Petkoviç pajtohen për targat, takohen liderët


Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, gjatë një konference për media ka thënë se BE-ja pret sjelle serioze nga Kosova dhe Serbia për çështjen e targave, derisa e ka konfirmuar takimin mes zëvendës-kryeministrit të Kosovës Besnik Bislimit dhe drejtorit e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Petar Petkoviç këtë të mërkurë.

“Do të kemi takim me ta dhe qëllimi është si gjithmonë që të gjejmë një rrugëdalje evropiane për çështjen aktuale (targat)”, tha Stano.

Sipas tij, “nëse ata pajtohen, zakonisht kemi takim të liderëve”.

“Kemi parë dialogun të hënën me liderët, fatkeqësisht ai takim nuk solli rezultate. Ne presim sjellje evropiane nga të dyja palët në këtë kohë krize që është më e keqja që kemi parë prej vitesh”, shtoi ai.

Ndryshe, Bislimi e Petkoviç, do të takohen në ora 15:00.

Por, për momentin nuk dihet saktë agjenda e bisedimeve apo nëse në to do të marrë pjesë shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

Udhëtimi, siç mëson Albanian Post nga burimet në Bruksel, vjen në kuadër të përpjekjeve dy ditore për të gjetur një zgjidhje rreth çështjeve të targave.

Edhe para takimit të fundit të kryeministrit Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, Bislimi kishte udhëtuar për Bruksel, por siç u kuptua të hënën, pa rezultat për çështjen e targave ilegale që lëshon Serbia me inicialet e qyteteve të Kosovës.

Kurti, gjatë një konference për media ka theksuar se “48 orë janë të mjaftueshme për një shans të ri për bisedime”.

Madje, ai vuri në pah se kanë qenë të gatshëm që fazën e dytë ta shtyjnë dhe Serbia të mos lëshojë targa ilegale, në mënyrë që të bisedohet për një marrëveshje finale deri në marsin e vitit 2023.

Kryeqeveritari kosovar e ka ripërsëritur se është i gatshëm të diskutojë për propozimin franko-gjerman me palën serbe dhe BE-në.

“Ne jemi të gatshëm që propozimi franko-gjerman të vendoset në tryeze një orë e më parë. Kur unë i thashë Borrellit në Paris për propozimin franko-gjerman, ai tha ky është propozim i BE-së. Në Bruksel e pash që po të ishte propozim i BE-së nuk heqin dorë kaq lehtë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore