Sport

Stadiumi i ri- investim që ndryshon pamjen


Stadiumi “Air Albania” është shembulli i vërtet i një investimi serioz në sport. Investim që i ndërroi faqe sportit shqiptar. I ngritur në vendin ku më parë ndodhej stadiumi “Qemal Stafa”, tashmë ky stadium i ri ofron një panoramë krejtësisht ndryshe, nga ajo që ka qenë më parë.

Po cilat janë ndryshimet e mëdha që solli ky investim?

Së pari, pamja e jashtme dhe estetika. Stadiumi i ri, me arkitekturë moderne, përfshinë edhe një kullë në strukturën e tij, çka e bënë ndër më unikët në botën e futbollit.

Ky stadium ka ndryshuar shumë vendin ku ndodhet. Më parë, me stadiumin e vjetër dhe me sheshin “Italia” të kthyer në parkim, pamja nuk ishte shumë e bukur për syrin e vizitorit, kalimtarëve apo dhe vetë tifozëve.

Sheshi “Italia” aktualisht është i ndryshuar dhe i lënë në funksion të kalimtareve. Shërben si porta hyrëse e stadiumit. Parkimi i dikurshëm, tani ndodhet nën tokë, me një kapacitet shumë herë më të madh se ai i mëparëshmi. E vetmja gjë që nuk ndyshoi, perveç faktit që u restaurua, për të “dal në dritë” ishte pjesa e shkallëve hyrëse të stadiumit.

Së dyti, ambienti i tifozëve totalisht i ndryshuar. Me rreth 22 mijë vende dhe me mbulim nga sipër. Kushte të tjera shtesë, tualete dhe ambiente larg “pisllikut” të dikurshëm të stolave. Heqja e pistës së atletikës, e ka afruar spektatorin me fushën. Një afërsi e tillë prej gati 2-3m, në nivelin më të ulët të tribunave.

Pothuajse asgjë e përbashkët me stadiumin e vjetër, përveç pjesës së futbollit. Ambiente të tjera shtesë janë ndërtuar për gazetarët, dhomat e dopingut, restorante, lokale, e deri te ambientet e tjera të shërbimit në brendësi të stadiumit.

Së treti, stadiumi është një “parajsë ekonomike” për klubet e kryeqytetit. Bëhet fjalë për rastet kur lejoheshin tifozët në stadiume. Në një derbi Tirana-Partizani dhe e anasjellta, klubi pritës përfitonte deri në 250 milionë lekë nga biletat. Në një sezon luhen katër derbi të tilla, plus shtohen edhe ndeshjet me rëndësi për tifozët, si ato mes ekipeve të sipërpërmendura dhe ekipeve të tjera si Vllaznia, Kukësi, Teuta etj.

Stadiumi ka kushtuar rreth 75 milionë euro, nga të cilat 10 milionë euro i financoi UEFA dhe pjesën tjetër e mbuloi kompania private që ndërtoi stadiumin. Stili i ndërtimit është anglez, pa pistë atletike dhe me tribunat me dy nivele.

Sipërfaqja e përgjithëshme kap shifrën e 43 mijë metrash katrorë, nga të cilat 25 mijë metra katrorë shërbejnë për stadiumin, 10 mijë metër katrorë për zyrat dhe tetë mijë metër katrorë për dyqanet.

 

“Air Albania” është emri që u vendos pas shitjes së të drejtave të emrit të stadiumit të Kombëtares, nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit. Kompania bleu të drejtën e emrit për pesë vite, me një pagesë 650 mijë euro në vit.

Në vitin 2022 në “Air Albania” do të luhet finalja e parë e rëndësishme ndërkombëtarisht, ajo e Ligës së Konferencës. Liga më e re e UEFA-s, që do të fillojë nga sezoni i ardhshëm dhe do të jetë e treta për nga rëndësia pas Liges së Kampionëve dhe Ligës së Europës./ AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore