Shqipëria

“Stacioni i fundit” për reformën territoriale


Ndryshe nga tetë vite më parë, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste në Shqipëri kanë rënë dakord që të nisin punën për reformën territoriale.

Por, jo kaq thjesht.

Të dyja palët kanë qëndrime të ndryshme sa i përket produktit final të kësaj reforme.

PD-ja, nga njëra anë, kërkon që analiza për ndarjen territoriale të nisë që në themelet e vitit 2014, me qëllim që të bëhet rishikimi i ndarjeve të Bashkive.

Nga ana tjetër, PS-ja synon shkrirjen e qarqeve dhe organizimin e territorit në rajone.

Këtë herë, PD ka vendosur që të marrë pjesë në realizimin e kësaj reforme.

Kështu, dy partitë kryesore të Shqipërisë caktuan edhe ekspertët e tyre sa i përket reformës: Adelina Farrici e Artan Shkëmbi nga PS-ja dhe Agron Haxhimali e Roland Bejko nga PD-ja.

Përpos kërkesës për reformim nga Bashkimi Evropian, shpesh është ngritur pyetja se: Pse pikërisht tani kjo reformë?

“Reformë territoriale, jo vetëm politike”

Agron Haxhimali shpjegon se reforma fillestare e vitit 2014 ishte e “guximshme dhe erdhi si rezultat i nevojës për të ndërtuar institucione të pushtetit vendor, që të siguronin shërbime më të mira në cilësi dhe sasi”.

Por kjo, sipas tij, nuk u arrit.

Për Albanian Post (AP), ai thotë se “reforma me gjithë progresin dhe investimin që u bë për të, nuk arriti atë që pretendonte”.

“Të dy palët politike janë ulur dhe shumë mirë kanë bërë, pasi votuesit dhe qytetarët që i ndjekin e kanë ngritur shqetësimin. Dhe tani është stacioni i fundit”, shprehet eksperti.

Një këndvështrim tjetër ka për situatën eksperti Artan Shkëmbi, i cili thotë se reforma ka funksionuar.

Për të kërkesa dhe padurimi i PD-së, për ta parë edhe një herë këtë reformë, ka të bëjë me faktin se është penduar që nuk ka marrë pjesë në realizimin e saj.

Por, në një pikë palët bien dakord: tashmë qytetarët janë të organizuar.

Këta të fundit kanë zhvilluar disa takime me grupet e punës që po merren me realizimin e reformës.

Por çfarë kërkojnë aktorët politikë?

Haxhimali thotë se ka nevojë për rregullim që shkon me një rritje të arsyeshme të numrit të bashkive, por edhe për rregullime dhe korrigjim kufijsh pa ndryshuar numrin.

“Kjo për sa i përket nivelit të parë të qeverisë vendore. Ndërsa, për sa i përket nivelit të dytë, siç janë këshillat e qarqeve, mendoj se edhe këto duhet të rregullohen patjetër”.

Kështu eksperti thekson se reforma e qarqeve është shumë e lidhur ngushtësisht me atë çfarë fati do të ketë niveli i parë i qeverisë vendore.

“Çka do të thotë: nëse shkohet për një rritje të numrit të Bashkive (që sipas meje Shqipërisë i duhen rreth 80-90 njësi vendore), atëherë duhet të kemi një nivel të dytë pushteti vendor me 6 qarqe ose 3 rajone të mëdha”.

Me logjikën e tij, nëse shkohet për një numër më të ulët të njësive vendore, atëherë kuptimi i rolit të qarqeve bie.

Ndërsa mazhoranca është e mendimit se 61 bashki janë shumë.

Kreu i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka shpjeguar se ka shumë bashki të vogla ngjitur me njëra-tjetrën, “që mbajnë dy administrata kot”.

“Ky është vlerësim imi personal, por askush prej nesh nuk duhet të gjykojë punën e komisionit. E theksoj, puna e komisionit do të jetë për shërbim më të mirë për qytetarin, pasi ne duhet të çojmë deri në fshatin më të vogël dhe të largët shërbimet e duhura për qytetarin”, ravijëzoi ai në një deklaratë për mediat.

Demokratët gjithë këtë kohë e kanë lidhur reformën me efektin zgjedhor, që ka të bëjë dhe me ndarjen e mandateve.

Kjo i ka shoqëruar gjatë fushatës me premtime se do ta ndryshojnë me hyrjen e tyre në Parlament.

Nga ana tjetër, socialistët, në kohën kur u propozua ndarja e tillë administrativo-territoriale, theksuan se qëllimi i një ndarjeje të tillë është për efekt social-ekonomik, për të ndaluar shpopullimin e rajoneve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore