Lajme

Sqarohet Ministri Murati për shtesat e skemës së pensioneve


Shumën nga 30 euro të cilën e merrnin si shtesë nga pensioni bazë, pensionistët në Kosovë tash e tutje do të marrin për 20 euro më pak.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur një ditë më parë, ka vendosur që përveç pensionit bazë nga 75 – 90 euro varësisht nga kategoria, pensionistët të marrin nga 10 euro më shumë.

Përmes llogarisë së tij në Facebook, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se ngritja e shtesave nga qeveria e kaluar, për 30 euro, ka qenë vendim i marrë në kohë fushate.

“Sa u përket shtesave për pensionet bazike, qeveria e kaluar në kohë fushate, kishte marrë vendim për të ndarë nga 30 euro për vetëm tre muaj (janar, shkurt dhe mars)”, ka shkruar Murati.

Pas këtij tre mujori, Ministri Murati thotë se këto shtesa do të ndaleshin në tërësi.

“Krejt çka do të merrnin pensionistët pa vendimin e djeshëm të qeverisë, do të ishte shuma prej 75 ose 90 eurove, ashtu siç është̈ e planifikuar në buxhetin e vitit 2021, të miratuar në Kuvend”.

Ndër të tjera ai ka sqaruar se varësisht nga kategoria e pensionit, tani të gjithë të pensionuarit do të marrin nga 100 euro.

“Ministria e Finacave, Punës dhe Transfereve, ka paraparë që për kategoritë̈ e skemave pensionale që marrin nën 100 euro – e këtu ka kategori me 75 euro dhe me 90 euro – të aplikohet një̈ shtesë, asisoj që shuma totale e pensionit me gjithë̈ shtesën të jetë 100 euro”.

Këto shtesa pensionistët do ti marrin përgjatë gjithë vitit 2021.

“Me pakon e re, kemi shtuar 8.5 milion euro, aty ku qeveria e kaluar kishte buxhetuar 0 euro shtesa. Pra për muajt prill e tutje, nuk ka pasur shtesa të planifikuara”, ka shkruar Ministri Murati.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 8.5 milion euro për të mbështetur skemat e pensioneve që marrin nën 100 euro si dhe familjet me asistencë sociale, përgjatë vitit 2021.

Kryeministri Albin Kurti, gjatë dy fushatave të fundit elektorale, ka vënë theks te përmirësimi i skemave sociale. Ka premtuar rritjen e pensioneve dhe kategorive të tjera përfituese nga skemat sociale të ekzekutivit. Para se të bëhej kryeministër, Kurti kishte premtuar dyfishimin e pensioneve minimale.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore