Lajme

Sputnik V mbërrin në Maqedoninë e Veriut


Në Maqedoninë e Veriut kanë mbërritur 3 mijë doza vaksina Sputnik V, nga Rusia.

Ministri i  Shëndetësisë, Venko Filipçe, njoftoi se do të vaksinohen personat e moshuar me sëmundje të rënda kronike.

“Ne jemi gjithmonë të përgatitur që  t’i  ndihmojmë qytetarët e Maqedonisë. Ashtu siç dihet ‘Sputnik V’ është vaksina e parë e regjistruar kundër Covid-19. Vaksina është absolutisht e sigurt dhe efikase”, tha ambasadori rus në konferencën e përbashkët.

Kujtojmë se vaksinimi në Maqedoninë e Veriut filloi me 4 mijë e 680 dozat e Pfizer-it, nga 8 mijë dozat e parashikuara, që i dhuroi Serbia. Autoritetet shëndetësore kanë arritur të marrin edhe vaksina kineze “Sinofarm”.

Nga Rusia pritet t’i vijnë edhe 197 mijë doza të tjera të vaksinës anti-Covid.

Më herët, kryeministri i MV-së, Zoran Zaev, akuzoi shtetet fqinje se nuk po e ndihmojnë vendin siç kishin premtuar për dhurimin e vaksinës anti-Covid. Konkretisht, ai e kishte për Greqinë, Bullgarinë dhe Serbinë.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, reagoi duke thënë se qeveria do t’i dhurojë dozën tjetër të vaksinave Maqedonisë së Veriut (MV) sapo të arrihet sasia e mjaftueshme nga Bashkimi Evropian (BE).

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore