Vende

Sportet më të çuditshme në botë (pjesa e tretë)


Tuk Tuk Polo

Tuk Tuk Polo është një sport mjaft i ri. I themeluar në 2016 në Sri Landa, sporti është një variant alternativ i Polo-s – ndër sportet e para i luajtur me skuadra.

Ndryshe nga polo që kërkon aftësi kalërimi, tuk tuk kërkon patentë (ka patentë për tuk tuk?) dhe aftësi manovrimi të këtij automjeti mjaft të përhapur në azinë jug-lindore.

Tailanda zë vendin e parë për përdorimin e kësaj tri-çiklete në shërbim të transportit publik. Pse? Është ekonomike, zë pak vend në karrexhatë dhe, detyrimisht redukton trafikun gjigand dhe karakteristik të kontinentit Aziatik. Jo fort e rehatshme por tepër praktike.

Objektivi i tuk tuk polo-s, njëlloj si polo, futbolli, futbolli amerikan, etj, është të shënosh gol në portën apo zonën kundërshtare. Çdo tuk tuk i përfshirë në lojë, ka një shofer dhe një lojtar që godet topin me shkop drejt zonës portës së kundërt. Çfarë mund të ndodh më shumë se kaq, apo jo?

Elementi ekstrem në këtë sport është gërshetimi midis sportistëve, objektivit për të fituar, manovrimit të automjetit dhe kujdesit për t’u mos aksidentuar. *Tuk-Tuuuuuuk*

Gara me pengesë me… lepuj

Lepuri është ndoshta një ndër kafshët më interesante në planetin Tokë. Kultura kineze e konsideron si kafshë të shenjtë dhe i atribuon disa element të moçëm simbolit dhe vetë ekzistencës së veshëgjatit me putrat e pasme më të mëdha se ato të parmet.

Jo vetëm aty por edhe në literaturë, histori, astrologji, kinematografi, art, barsoleta, etj, lepuri mbetet një qënie e lidhur ngushtë me njeriun dhe rrugëtimit përgjatë kohës për t’u zhvilluar.

Në 1970, Suedia huazoi konceptin e spektaklit sportiv të kuajve që përshkojnë një rrugë të caktuar me pengesa dhe, e zëvendësoi elementin kryesor të kuajve me lepuj. Sigurisht që pengesat janë zvogëluar që t’i përshtaten përmasës së lepujve.

Futboll zjarri

Kur dëgjon “futboll”, imagjinon sportin më të ndjekur në botë dhe ndoshta me siguri të vijnë ndërmend lojtarët e preferuar, skuadra, momentet, kampionatet botërore, lavdinë, gëzimin, lumturinë, hidhërimin, zhgënjimin dhe lotët.

Por për Indonezinë, futbolli është çdo gjë përveç vëmendjes së projektorëve të një stadiumi të njohur dhe përfshirja e 22 lojtarëve përreth një topi, i cili vlen më shumë se çdo gjë kur kalon vijën fatale të një porte.

Futbolli me top zjarri ose siç njihet në Indonezi “Sepak Bola Api”, shërben edhe si sport por edhe si ceremoni mirëseardhje e muajit Ramazan të fesë Islame.

https://www.youtube.com/watch?v=-K4e9d9n1Cc

Sepak Boli Api luhet kryesisht nga studentët indonezian  dhe njëlloj si futbolli, si objekt pa të cilin nuk mund të zhvillohet loja kurrsesi, ka një top. Mirëpo ajo çka e veçon nga standarti i futbollit të cilin të gjithë jemi mësuar ta shohim, është fakti se topi është i mbështjellë me lecka dhe paçavure të shumta, të cilat formësojnë një top dhe, ky top është i lyer me lëndë që ndizet lehtësisht në zjarr. Pak a shumë siç funksionojnë pishtarët.

Lojtarët kryejnë një larmi ritesh islamike dhe tradicionale përpara se të luajën në mënyrë që mos t’i druhen topit që përcëllon. Pse? Sepse të gjithë lojtarët luajnë zbathur!

Bog Snorkelling

Origjina e këtij sporti ujor vjen nga Uellsi dhe i një tradite të lashtë me rrënjë vikinge. Megjithëse nuk ka shumë të dhëna konkrete për bazën historike të saj, sot, bog snorkelling e që përkthehet llogore me tub ajri, ka kategoritë e veta dhe zhvillon kampionate botërore të përvitshme si për meshkuj ashtu edhe për femra.

Bog Snorkelling i përket notit dhe gjestikulimit fizik për të çarë përmes një segmenti prej afërsisht 55 m. Qëllimi i kompeticionit është të notohet me vajtje e ardhje; pra, rreth 110 m gjatësi në total.

Ndryshimi midis kësaj “kategorie” noti dhe notit Olimpik, për shembull, është se konkurrentëve u duhet të garojnë në një llogore fshati të mbushur me ujë, baltë, barishte dhe çdo gjë tjetër që mund të krijojë habitat të përshtatshëm në këtë mikro-ekosistem që, aq sa është natyral aq është edhe i manipuluar nga dora e njeriut.

Rregullat janë pak më të spikatura se noti “normal”: pjesëmarrësit nuk lëvizn asgjë veç lopatave nënujore. Pra, atyre u duhet të çajnë përmes kanalit natyral vetëm nëpërmjet këmbëve por asgjë tjetër nuk lëviz. Gati?

Kampionati i shpullave

Qëkur u ndërtua sistemi i parë i internetit dhe, qëkur filloi shkëmbimi i parë i informacionit përmes rrjetit elektronik të internetit, shumë shpejt u mësua se Rusia ka një tipologji mjaft të veçant në cilësimin, si dhe themelimin, filozofinë dhe zhvillimin e sporteve.

E si mund të shkoj përveçse një shkrirje midis sportit dhe spektaklit?

Ju prezantojmë me Kampionatin e Shpullave.

Rregullat janë të thjeshta por në mënyrë që të përballosh çka kërkohet në këtë sport, bën mirë të përgatisësh nofullën, muskujt e qafës dhe natyrisht, të stërvisësh krahun por edhe kyçin e dorës, si dhe të ashpërsosh muskujt e pëllëmbës. Përse? Epo nëse mendoni se shpullat janë të lehta dhe çdo gjë aplikohet në kuadër të kompeticionit dhe sportivitetit, jeni jashtë-loje.

Bëhet fjalë për diçka me konkrete dhe më të dhunshme – dyluftime të ashpra dhe test rezistence. Le të fitojë nofulla më e fortë dhe shpulla më e rëndë, davaj!

Hekurosje Ekstreme

Sportet ekstreme janë një ndër burimet themelore të zbavitjes por edhe të përballjes me frikërat e cilitdo që i praktikon. Hedhje me parashutë, fluturime me deltaplan në egërsinë e rrezikshme të natyrës, hedhje nga lartësitë e mëdha me litar elastik, etj.

Hekurosja e rrobave është një akt rutinor që çdo i rritur dhe fëmijë bashkë, e ka kryer të paktën një herë në jetë. Por kujt do t’ia merrte mendja se do mund të përfshihej në një sport ekstrem, hm?

Në 1980 Tony Hiam themeloi “Hekurosjen Ekstreme”. Vendndodhja e parë e këtij eventi ekstrem u zhvillua në Parkun Kombëtar të Yorkshire Dales në Angli.

I frymëzuar nga vëllai i tij i çuditshëm e jashtëqendror, John Slater, i cili hekuroste edhe në kushte kampingu, Hiam mendoi ta integronte në sport hekurosjen mbi bazën e idesë se disa akte rutinore, në thelb nuk kanë asnjë rëndësi, përveçse mbushjes së normës sociale por, nëse bëhet fjalë të hekurosësh mbi një mal 1500 m mbi nivelin e detit, çfarë merr më shumë prioritet, jeta apo këmisha?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore