Vende

Sportet më të çuditshme në botë (pjesa e parë)


Gara me gruan mbi shpinë

Finlandezët shquhen si popullsi mjaft e emancipuar, kur bëhet fjalë për barazi gjinore dhe shpërndarje ekuivalente e vlerave sociale.
Por, edhe pse duket sikur nuk ka lidhje me sportin në fjalë, në fakt nuk ka me të vërtetë. Ju prezantojmë me garat me gruan mbi Shpinë.

Sporti u themelua në 1992, në qytetin Sonkajarvi. Që nga ajo kohë, po në atë qytet zhvillohen kampionate botërore.

Rregullat janë fare të thjeshta: burrat “veshin” gratë e tyre; disa si çanta me kokëposhtë, disa mbi shpinë, por sidoqoftë, ideja është që garojnë me njëri-tjetrin në një pistë me pengesa.

Çfarë merr fituesi? Birrë të barasvlershme me peshën e gruas mbi shpinë.

Sepak Takraw

Ndonëse mund të duket tejet i pazakontë, për të mos thënë edhe i vështirë, Sepak Takraw ka një vend të veçantë në Malajzi dhe Tailandë. Sporti u luajt për herë të parë, në shekullin XV dhe është kthyer si sport kombëtar në të dy shtetet.

Emri i sportit është i përbërë nga dy fjalë të secilës gjuhë: “Sepak”, që nga gjuha malajziane përkthehet “shkelm” dhe “Takraw” që do të thotë “top” nga tailandishtja. Pra, “shkelm top”

Ekipet kanë secili nga tre lojtarë, të cilët luajnë në një fushë të ngjashme me atë të volejbollit apo të tenisit, vetëm se rregullat për të goditur topin ngjajnë me futbollin.

Atyre u lejohet të godasin topin në anën kundërshtare të fushës vetëm me këmbët, trupin apo kokën, por jo me duar. Fitoftë më i miri!

Buzkashi

Dy ekipe të vendosur brenda një rrethi, konkurrojnë për të kapur një kërmë dhie pa kokë duke kalëruar.
Duket e rëndë, apo jo? Nuk ka mbaruar këtu.
Territori i lojës shtrihet në një hapësirë relativisht të gjerë, ku cilido që merr nën kontroll kërmën e dhisë, duhet ta transportojë mbi kalë në zonën ku është ngulur një flamur.
Flamuri shënjon vendin ku shënohen pikët.

I tillë është sporti kombëtar i Afganistanit dhe që përkthehet “kapje dhie”. Historianët besojnë se sporti e ka origjinën te dyndjet e para turko-mongole. Sot, sporti luhet kryesisht në zonën veriore të Afganistanit.

Me siguri që, të jesh lojtar i mirë në këtë sport duhet të zotërosh edhe aftësi gjuetie.

Haggis

Haggis është sport kombëtar i Skocisë. Çfarë është haggis?

Zemra dhe organet e tjera të deles zihen dhe vendosen brenda stomakut të saj, që i mbështjell ato si të ishte salsiçe apo suxhuk Kosove.

Përpara se të shndërrohej në sport, ishte pjesë themelore në kuzhinën skoceze (vazhdon të jetë).

Në mënyrë që të përmbushë kushtet për të garuar në kompeticionet zyrtare skoceze, haggis duhet të peshojë të paktën 500 g.

Atletët, nëse mund të quhen të tillë, garojnë me njëri-tjetrin se kush do ta hedhë më larg haggis-in; pak a shumë si hedhja e gjyles në Olimpiadë, por haggis-it duhet të mbetet i paçarë, pra, nëse pas hedhjes dëmtohet apo çahet, prova nuk i quhet pjesëmarrësit.

Sot, haggis ka federatë dhe një sistem të mirëfilltë kampionati.

Ndonëse ithtarët e këtij sporti tregojnë se ka rrënjë në lashtësi, në të vërtetë është mjaft i ri.

Nisi si një shaka praktike nga publicisti skocez Robin Dunseath në 2004, me qëllim për të grumbulluar fonde për bamirësi dhe, ja ku është sot: një prej sporteve më popullor në Skoci.

Me këtë rast, kanë dhe një pretekst “të hanë pasi luajnë”.

Yukigassen

Shkurt dhe qartë, yukigassen është luftë topash dëbore.
Ekipet përmbajnë shtatë lojtarë secili dhe përballen në një terren të ftohtë të mbushur me platforma akulli dhe dëbore, në të cilat fshihen dhe organizojnë një lojë strategjike.
Sporti ka origjinën në Prefekturën e ishullit Hokkaido. Hokkaido gjendet në skajin më verior të Japonisë, i cili është fare pranë me kufirin e Rusisë.

Kodi etik i vesh sportistët me tuta të veçanta termike-elastike, në mënyrë që t’i mbajë ngrohtë aq sa duhet dhe të kenë maksimumin e lejueshmërisë së lëvizjeve.

Ata veshin edhe helmeta me maska që të mbrohen nga ndonjë goditje e papritur në fytyrë. Veç Japonisë, yukigassen praktikohet në Skoci, Finlandë, Norvegji, Suedi, Australi, Rusi, Kanada dhe Alaskë.

Futbolli fiorentin

I njohur si “calcio storico” ose futboll historik në shqip, ky futboll jo tipik luhet në Firenze të Italisë dhe konsiderohet një formë “arkaike” e futbollit modern.

Faktet historike dëshmojnë se futbolli fiorentin është luajtur në shekullin XXV (Periudha e Rilindjes) nga klasa e lartë italiane, por edhe nga anëtarë të klerit katolik dhe njerëz krejt normal apo edhe të burgosur.
Bëhet fjalë në brendësi të Vatikanit ku priftërinjtë, klerikë edhe vetë Papa si Klementi i VII, Leo i XI dhe Urbani i VIII, e kanë luajtur këtë sport.
Veçantia e këtij varianti të futbollit është dhuna apo përleshjet në të: dëshira për të shënuar gol në fushën kundërshtare, i shtynte lojtarët të përdornin dhunën si taktik. Kjo kulturë ka qëndruar deri më sot.

Një moment i famshëm në historinë e Firenze-s, ishte pikërisht më 17 shkurt 1530 ku, ndërsa qyteti ishte nën rrethimin e ushtrisë së Charles-i V i Habsburgëve (Mbreti i Austrisë), qyteti i Firenzes zhvilloi një lojë futbolli historik në shenjë provokimi ndaj Charles-it.

Disa vite më mbas, në 1574, në një vizitë nga Henry i III në Venezia të Italisë, u zhvillua një eveniment i ngjashëm me atë të futbollit fiorentin, i quajtur “luftë në urë”.

Pasi e pa, Henry i III tha: “Tepër e vogël për të qenë luftë dhe tepër e ashpër për t’u quajtur lojë (sport)”.

Sot, futbolli fiorentin është një fushëbetejë e vërtetë. Ekipet luajnë mbi një fushë me të gjatë se sa të gjerë (100 – 109 m x 50 m).
Secili ekip ka 27 lojtarë, të ndarë në sulmues, mesfushorë, mbrojtës dhe portierë. Portat shtrihen me rrejta po aq të gjera sa vetë fusha.

Qëllimi është i thjeshtë: të futet topi në rrjetën kundërshtare. Mirëpo, rregullat diktojnë një lojë tepër të ashpër.

Valët e para të lojtarëve kanë për qëllim të luftojnë me ata të ekipit kundërshtar, derisa të mos jenë më në gjendje të luajnë… po, po.

Jo vetëm kaq, por asnjë lojtar nuk lejohet të zëvendësohet gjatë 50 minutave zyrtare të një loje.

Përfshirë këtu edhe ata që lëndohen. Duket si një ndeshje kolektive gladiatorësh të Perandorisë Romake, të specializuar në arte marciale mikse, kombinuar me regbi, si dhe teknika “të pista”. Zoti qoftë me ta!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore