Shqipëria

Spitali i Fierit gati, Manastirliu: Nga këtu nis reforma në shëndetësi


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka prezantuar nga Spitali i Fierit gjithë sistemin e funksionimit të tij dhe risitë që do të sjellë. Më kryesorja, një reformë shëndetësore drejt autonomisë spitalore.

“Në Fier do të aplikohet për herë të parë autonomia spitalore. Kjo, në bashkërendim të punës me palën turke. Ministria do të jetë më pas ajo që do të japë dritën jeshile për spitalet që do të kenë mundësi për autonomi spitalore”.

Spitali i Fierit u premtua në janar nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan. 20 prilli ishte afati i përfundimit, sipas Erdoganit. Tashmë, tre muaj më pas, Spitali i Fierit është gati.

Aty gjithashtu kanë mbërritur pajisjet, të cilat janë të teknologjisë së fundit. Janë 180 shtretër, të cilët do të vihen në dispozicion të pacientëve. Nga këta, 150 shtretër janë në dhoma standarde teke. Këto do të jenë të vëzhguara nga shërbimi i infermierisë, nëpërmjet një monitorimi qendror.

Për sa u përket aplikimeve, ato janë rreth 700 punonjës personel. Për një pjesë prej tyre, janë përmbyllur aplikimet dhe pritet procesi i pranimit. Sipas ministres, ato janë në bazë meritokracie.

Nga 398 personel ndërkaq, 56 prej tyre janë personel turk. Këtu përfshihen edhe personeli administrativ.

Spitali do të jetë i ndarë në tre blloqe të ndryshme. Një prej blloqeve të spitalit, do të jetë ai i kirurgjisë. Kirurgjia e brendshme do të jetë një sektor më vete. Urgjenca do të jetë gjithashtu në një sektor të dedikuar.

Pjesë e spitalit do të jetë edhe farmacia, e kompletuar me medikamente për shërbimet spitalore.

Përftues nga ky investim, nuk do të jetë vetëm Fieri, por të gjitha qarqet jugore sipas ministres. Ky spital do të ndihmojë edhe në shpërndarjen e shërbimeve dhe lehtësimin e punës në Spitalin Universitar Nënë Tereza.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore