Lajme

Spitalet e Kosovës furnizohen me ilaçin Remdesivir – trajtohen të infektuarit me COVID-19


Ilaçi Remdesivir

Shërbimi Klinik Universitar i Kosovës është furnizuar me ilaçin Remdesivir, me të cilin trajtohen pacientët me COVID-19 në gjendje të rëndë.

Sipas njoftimit, kjo është hera e parë që ShSKUK-ja furnizohet me Remdesivir që nga fillimi i pandemisë COVID-19 në Kosovë.

“Nga sot pacientët nuk do të kenë nevojë të blejnë më këtë ilaç. MSH-ja ka liferuar 7,920 njësi Remdesivir që do të shpërndahen nga sot në të gjitha spitalet e përgjithshme dhe në klinikat e QKUK-së”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Para dy javësh, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se spitalet do të furnizohen me këtë ilaç “për çështje ditësh”.

“Procedurat për Remdesivirin kanë filluar, janë para përfundimit. Shpresojmë që deri në fund të kësaj jave do të sigurohen. Nëse jo në fund të javës atëherë në fillim të javës tjetër Remdesiviri do të jetë nëpër klinikat tona”, pati thënë Vitia.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia

Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se ky ilaç ka pak ose aspak rezultate në luftimin e sëmundjes COVID-19.

Mjekimi nga COVID-19 në Kosovë, ku një rrogë mesatare është rreth 500 euro e niveli i papunësisë rreth 30 për qind, kushton me qindra euro. Antibiotikë, paracetamol, vitamina të ndryshme, fraksiparina, albumina janë disa nga medikamentet që përdoren nga pacientët me COVID-19.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka raportuar 12 persona të vdekur nga COVID-19 dhe 410 persona të infektuar.

Numri i të infektuarve vjen nga tetë mijë e 789 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Sipas IKSHPK-së gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar gjithsejtë një mijë e 732 persona.

Raste aktive me COVID-19, janë gjithsejtë 14 mijë e 501.

Numri i të vaksinuarve brenda 24 orëve të fundit është gjithsejtë 22 mijë e 671.

Numri i të vaksinuarve me vetëm dozën e parë të vaksinës anti-COVID është gjithsejtë 704 mijë e 318 ndërsa numri i të vaksinuarve me të dy dozat është gjithsejtë 385 mijë e 297.

Ndërsa, një ditë më parë në Kosovë 24 persona kanë humbur jetën nga Coronavirusi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore