Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë të Holandës ua kanë vazhduar masën e paraburgimit ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës (UÇK) – Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli kjo pasi që trupi gjykues konstatoi se ekziston rreziku i pengimit të procesit gjyqësor.
Në dokumentin e publikuara nga DhSK-ja është bërë e ditur se vendimi është marrë me 24 maj.
“Që nga vendimi më i fundit i paraburgimit, nuk ka pasur zhvillime që zvogëlojnë faktorët që mbështesin nevojën dhe arsyeshmërinë e paraburgimit. Në të vërtetë, ecuria e vazhdueshme e gjyqit përmes dëshmisë së të gjashtëdhjetë e pestë (65th) dëshmitar dhe zhvillimet e tjera në këtë rast konfirmojnë në mënyrë të prerë domosdoshmërinë e paraburgimit”, është thënë nga DhSK-ja në vazhdimin e paraburgimit edhe për Thaçin edhe për Veselin.
Edhe më 18 prill, Specialja kishte marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Thaçit dhe Veselit.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka dorëzuar një parashtrim përmes të cilit ka njoftuar panelin e trupit gjykues në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nuk do të mbështetet në dëshminë e 10 dëshmitarëve.
Prej mbi 300 dëshmitarëve në total, deri tani janë dëgjuar 68 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-komandantë të UÇK-së e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura.
Ish-presidenti i Kosovës, ish-kryeparlamentarët kosovarë dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), akuzohen nga e Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje të pretenduara, torturë e trajtim mizor në periudhën midis viteve 1998–1999.
Në procesin gjyqësor që nisi më 3 prill 2023, katër ish-drejtuesit e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com