Lajme

Specialja i dënoi Gucatin e Haradinajn – por, a mund të kthehet vendimi prapa?


Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj në Gjykatën Speciale

Sipas njohësve të çështjeve juridike, vendimi i ditës së mërkurë i Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, për t’i shpallur fajtorë dhe dënuar me katër vjet e gjysmë burgim, nuk është fuqiplotë dhe si rrjedhojë mund të kundërshtohet në Apel.

Tashmë sipas tyre gjithçka është në dorën e Gjykatës së Apelit, e cila në rast se e refuzon ankesën e Gucatit e Haradinajt, atëherë vendimi i 18 majit i Dhomave të Specializuara të Kosovës, bëhet i plotfuqishëm.

“Vendimi i sotshëm është i shkallës së parë, ata kanë të drejtë të ankohen në panel të ankesave që rrjedhimisht është shkalla e dytë edhe pastaj kur të vendosë gjykata e shkallës së dytë për ta refuzuar ankesën atëherë vendimi bëhet i plotfuqishëm”, ka thënë për Albanian Post, Kushtrim Palushi, avokat.

Sipas Palushit, pas ankesës, gjykata e Apelit mund të vendos për tri opsione, ose t’i lirojë të dënuarit tërësisht nga akuza, ose t’ua lehtësojë dënimin, apo edhe ta refuzojë kërkesën e tyre si të pa bazë.

Kushtrim Palushi

“Për shkak se deri sot nuk kemi pasur përvojë me këtë panelin e ankesave të Gjykatës Speciale atëherë duhet të pritet se si do të trajtohet ankesa e tyre”, ka shtuar ai.

Se vendimi i sotshëm i Gjykatës Speciale, nuk është fuqiplotë dhe se të dënuarit kanë të drejtë të apelojnë vendimin, e thotë edhe avokati Tahir Rrecaj për Albanian Post.

“Ky është gjykim i shkallës së parë, ata kanë të drejtë të apelojnë vendimin e sotshëm, e më pastaj apeli mund të vendosë që aktgjykimin dënues të bëhet aktgjykim lirues ose mund të ndryshojë në kuptim të gjatësisë së dënimit ashtu që të shqiptojë një dënime më të butë, sesa dënimi që është shqiptuar”, ka thënë Rrecaj.

Tahir Rrecaj

“Në emër të popullit të Kosovës, duke marrë parasysh të gjitha provat, trupi gjykues ju shpall fajtorë”.

Kështu është marrë vendimi për dënimin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt nga Gjykata Speciale.

Ata u shpallën fajtorë për katër pika të aktakuzës, derisa u shpallën të pafajshëm në një pikë, ato të “hakmarrjes”.

“Për arsyet e shtjelluara në aktgjykim dhe të përmbledhura më lartë dhe duke marrë parasysh të gjitha provat dhe argumentet e palëve, trupi gjykues në bazë të neneve 43 dhe 44 të ligjit dhe rregullave 158 dhe 159, 163, 165 të rregullores, ju shpall ju fajtorë për, pikën 1: pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare nëpërmjet të kërcënimit të rëndë, pika 2: Pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare nëpërmjet pjesëmarrjes në veprime të përbashkëta, pika 3: frikësim gjatë procedurës penale, pika 5: Shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehët, pika 6: shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të paautorizuar dhe identitetit të dëshmitarëve të mbrojtur. Gjykata nuk ju shpall fajtorë për pikën 4: hakmarrje”.

Si filloi…

Hysni Gucati duke u treguar gazetarve nje dokument qe dyshohej se ka rrjedhur nga Specialja

Në shtatorin e vitit 2020 Organizata e Veteranëve të Luftës filloi të mbante seanca të jashtëzakonshme për media. Ata pritën mediat në selinë e tyre me një mal me dokumente në tavolinë. Kur konferenca filloi treguan se dikush, ende i panjohur për ta, po u sjell dosje, të cilat pasi i kanë shfletuar kanë kuptuar se mund të jenë të Gjykatës Speciale.

OVL vetë nuk kishte publikuar asnjë dokument, sepse e kuptonin se ishte ndërhyrje në rastet që tashmë kishin filluar për bashkëluftëtarët e tyre në Hagë, porse ua ofronin mediave për publikim, nëse shprehin interesim.

Megjithatë, në OVL tregonin se bëhej fjalë për mijëra dokumente, se ato mund të jenë të Speciales dhe se një pjesë e mirë e dokumenteve ishte në gjuhën serbe – çka, sipas tyre, betonizonte argumentin që kishin edhe më herët: se Gjykata Speciale është një krijesë krejtësisht e mbështetur në dëshmi te falsifikuara të shteti serb.

“Veç tua tregoj edh dy tri fletë që janë në gjuhën serbe”, deklaronte Gucati në konferencë.

“Kemi në gjuhën angleze që kanë bashkëpunuar prokurorët serbë me Gjykatën Speciale, një prej tyre është zv. Prokurori i Gjykatës Speciale të Serbisë Stankoviç-i që ka tubu dosje dhe argumente që gjoja se shqiptarët kanë kryer krime lufte. Tjetri është drejtor gjeneral i policisë në Serbi në bashkëpunim me prokuror të gjykatës, desha veç këto dyja, se nuk kemi pas kohë me i kontrollu, jemi mundu me i kontrollu, nuk ka emra e mbiemra të dëshmitarëve”, thoshte atëherë Gucati.

Konferencat kishin vazhduar. Në një moment, OVL kishte publikuar edhe një video ku tregohej se si një person i maskuar, në mes të ditës, futej brenda selisë së tyre dhe lëshonte pako me dokumente. Në një rast, për pak u kishte ikur pa e zënë.

Sot e atë ditë nuk dihet kush ishte shpërndarësi misterioz i këtyre dokumenteve. Ishte misterioze edhe në i takonin Speciales apo jo. Por, ky mister, ndryshe nga i pari, u zgjodh shpjet, pasi nga gjykata intervenuan me bastisje të zyrës së tyre, arrestime dhe në fund gjykim për dy udhëheqësit e organizatës.

Sa i përket rrjedhjes së dokumenteve nga vetë gjykata, asnjëherë nuk ka filluar një hetim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore