Euro 2020

Spanja dhe Polonia, përballja në fakte dhe statistika


Përballja e parë mes dy kombëtareve ka qenë për kualifikueset e Euro 1960, Evropianit të parë që organizohej. Spanja doli fituese në të dy ndeshjet.

Ndeshja e parë e kualifikueseve u mbajt në Poloni më 28 qershor 1959 dhe Spanja fitoi me rezultatin 2-4. Për spanjollët shënuan nga dy gola Alfredo Di Stefano i Real Madrid-it dhe Luis Suarez Miramontes i Barcelona-s.

Ndeshjen e kthimit, Spanja e fitoi me rezultatin 3-0 në “Santiago Bernabeu”, me golat e dy lojtarëve të Real Madrid-it, Alfredo Di Stefano dhe Paco Gento, si dhe një gol nga lojtari i Barcelona-s Enric Gensana.

Por, spanjollët u tërhoqën nga Euro 1960 pas mos lejimit nga Gjenerali Francisco Franco, për të udhëtuar drejt Moskës, ku duhet të përballeshin me Bashkimin Sovjetik.

Që nga ajo kohë, janë edhe disa ndeshje të tjera mes dy kombëtareve, por në kuadrin e miqësoreve. Në total, janë luajtur 10 ndeshje zyrtare dhe miqësore, ku Spanja ka dalë tetë herë fituese, Polonia një herë dhe një ndeshje ka përfunduar në barazim.

Përballja e fundit mes Spanjës dhe Polonisë, ka qenë më 8 qershor 2010, ku spanjollët fituan me rezultatin e thellë 6-0. Golat u shënuan nga Pedro, Fernando Torres, Cesc Fabregas, Xabi Alonse, David Silva dhe David Villa, por goli i ketij te fundit me pas u quajt autogol nga Grzegorz Wojtkowiak-u.

Në 10 përballjet mes tyre, Spanja i ka shënuar polakëve 27 herë, ndërsa është ndëshkuar shtatë herë, nga këta të fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore