Shqipëria

SPAK: Tre prokurorë për dy vende vakante


Alfred Shehu, Elvin Gokaj, Sonila Muhametaj, janë kandidaturat për dy vende vakante të shpallura nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP).

Prokurorët kanë kaluar më parë nëpër procedurat e Vetting-ut. Aktualisht në ketë strukturë janë 15 prokurorë.

Arben Kraja, kreu i Prokurorisë së Posaçme, kërkoi më herët plotësimin e strukturës me 20 prokurorë.

Përzgjedhja e tyre do të bëhet nga një komision i ngritur nga KLP-ja.

Afati i fundit i dorëzimit të kandidaturave për dy vendet vakante ishte 31 tetori.

Deri në fund të vitit 2021, kjo strukturë pritet të plotësohet me dy prokurorë të rinj.

Alfred Shehu

Alfred Shehu është aktualisht prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Më 20 maj Shehu u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK).

Sipas komisionit, nuk u gjetёn probleme me pasurinё e prokurorit Shehu. Pёr tё flitej njё bilanc negativ prej 129 mijё lekёsh në një transaksion mes anëtarëve të familjes dhe një tjetër prej 1.4 milion lekësh lidhur me blerjen e një shtëpie në vitin 2013.

Prokurori Alfred Shehu

Një raport negativ i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar mbi figurën e Shehut, u rrёzua gjithashtu pasi të dhënat e referuara prej këtij institucioni “nuk përputheshin” me ato që KPK kishte gjetur në dosjen penale.

Alfred Shehu e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe ka punuar fillimisht si prokuror në Prokurorinë e Gramshit. Prej vitit 2007, Shehu e ushtron funksionin në Prokurorinë e Elbasanit.

Elvin Gokaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi në muajin nëntor të vitit të kaluar të konfirmonte në detyrë prokurorin Elvin Gokaj.

Më herët, ishte ankimi i Komisionerit Publik që kërkonte shkarkimin e tij.

Shqyrtimi në Kolegj i çështjes së prokurorit të Apelit të Shkodrës, Elvin Gokaj nisi më 6 tetor, pas ankimit që iu bë vendimit të KPK-së.

Prokurori Elvin Gokaj

Elvin Gokaj u emërua në vitin 2000 si prokuror në Prokurorinë e Matit, ndërsa në vitet 2007-2013 ka mbajtur postin e drejtuesit të Prokurorisë së Elbasanit.

Gokaj punon në Prokurorinë e Apelit të Shkodrës prej vitit 2014.

Sonila Muhametaj

Prokurorja e Krimeve të Rënda, Sonila Muhametaj u konfirmua në detyrë nga KPK-ja gjatë vitit 2019.

Muhametaj ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2007 dhe është emëruar prokurore në Prokurorinë e Krujës.

Në vitin 2014, ajo u transferua në Prokurorinë e Tiranës, ndërsa në vitin 2015 u dekretua nga Presidenti si prokurore e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Prokurorja Sonila Muhametaj

Në shtator të vitit 2018, Sonila Muhametaj ishte një ndër tre prokurorët e transferuar me urdhër të kryeprokurores Arta Marku pas një konflikti në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për dosjen “Shullazi”.

Muhametaj ngriti asokohe padi kundër vendimit në Gjykatën Administrative dhe e fitoi çështjen, duke u rikthyer nga Prokuroria e Pukës në atë të Krimeve të Rënda.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore