Shqipëria

SPAK “spastron” Gjykatën e Krujës


Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka regjistruar më 11 shkurt procedimin penal për veprat “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, si edhe “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” të Kodit Penal. Nga ky hetim disamujor u grumbulluan prova të nevojshme, të cilat krijuan dyshimin e arsyeshëm të veprave penale të korrupsionit në sistemin e drejtësisë, si dhe në atë të shëndetësisë.

Arrest me burg

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (SPAK) ka caktuar masat e sigurimit arrest në burg për shtetasit:

1-Enkeleida Hoxha, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, e dyshuar për veprën penale penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

2-Aldo Tabaku, avokat në dhomën e avokatisë Krujë, i dyshuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

3-Manuela Mallakuçi, sekretare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, e dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

4-Shkëlqim Korbi, ekspert psikiatriko-ligjor pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, i dyshuar për veprën penale “Ekspertim i rremë”.

5-Sajmir Petani dhe Altin Skëndaj, të dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

6-Bledar Petani, Gazmir Nezaj, Gentjan Nezaj dhe Isuf Tanuzi, të dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

SPAK: Korrupsioni në shëndetësi

Gjithashtu gjatë hetimit të këtij procedimi penal është evidentuar edhe një rast korrupsioni në shëndetësi. Në lidhje me këtë rast SPAK ka vendosur caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasve:

1-Edvin Prifti, mjek kardiokirurg në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, masë sigurimi “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo funksioni publik”.

2-Trëndafile Frangu, infermiere në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, masë sigurimi “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo funksioni publik”.

3-Migena Skenderi, masë sigurimi “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, e dyshuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm të funksionarëve publikë”.

Hetimet e SPAK

Falë hetimeve të këtij procedimi u bë e mundur të evidentohej një skemë e mirëfilltë kriminale sipas së cilës persona të dënuar, të cilët vuanin dënimin në burgun e Fushë-Krujës, përfitonin ulje dënimi kundrejt dhënies së përfitimit të parregullt. Të dënuarit kujdeseshin fillimisht që si mbrojtës të tyre të zgjidhnin avokatin Aldo Tabakun. Ky i fundit falë marrëdhënies që kishte krijuar me gjyqtaren Enkeleda Hoxha, mundësonte që të dënuarit të përfitonin uljen e dënimit, kundrejt shumave të parave të dhëna si përfitim i parregullt. Hetimi ka provuar se gjithë kjo bëhej kundrejt përfitimit të parregullt të shumave të konsiderueshme në Euro, që shkonin nga 6 deri 12 mijë euro.

Në këtë skemë të kundraligjshme ishte përfshirë dhe sekretarja gjyqësore Emanuela Mallkuçi, e cila në një rast ka siguruar kundrejt marrjes së përfitimit të parregullt, që kërkesa e të dënuarit të kalonte për shqyrtim tek gjyqtarja Enkelda Hoxha.

Hetimet e këtij procedimi penal do të vazhdojnë me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave dhe dërgimin për gjykim të gjithë të hetuarve në Gjykatën e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore