Shqipëria

SPAK pezullon disa kompani aktive me inceneratorët


Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka pezulluar disa prej kompanive të cilat ishin aktive me inceneratorët.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia shqiptare “BalkanWeb”, duke cituar burimet e saj.

Agjencia ka siguruar emrat e tre prej këtyre kompanive, të cilat janë; “Froggy”, “Best Services”, “Frogy 03”.

SPAK nisi verifikimet më 5 korrik pas denoncimit të kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.

Kryemadhi deklaroi se 24 kompani kanë kryer 189 milionë dollarë evazion fiskal të lidhura me inceneratorët.

Më 4 korrik, Kryemadhi paralajmëroi se do t’i paraqesë të tjera prova SPAK-ut, sa i përket çështjes së inceneratorëve.

Sipas saj, janë 24 kompani, të cilat janë të lidhura me njëra–tjetrën dhe dyshohet se kanë kryer evazion fiskal me shtetasin Klodian Zoto, emri i të cilit lakohet me çështjen e inceneratorëve.

“Ka blerje korruptive, të ndara në fatura të vogla, nuk blihet në llogari bankare që lëvizja financiare mos bëhet me llogari bankare, por kesh, e shitja nga fruta ekzotike në beton është bërë me pagesë bankare, por pagesat bankare nuk janë kryer. Përveçse pagesat nuk kryhen, kompanitë që kanë bërë blerje marrin dhe rimbursimin e TVSH-së”.

Kjo gjë është hedhur poshtë kompania e inceneratorëve “Integrated Energy”, nëpërmjet një postimi në median sociale Facebook.

Nga kompania kanë theksuar se nuk ka furnitorë asnjë nga subjektet e përmendura nga Kryemadhi.

“Për rrjedhojë nuk ka asnjë shkëmbim tregtar me asnjë prej tyre. Kompanitë që përmend Kryemadhi nuk janë bashkëpunëtore në veprimtaritë tona”.

Prokuroria po kryen hetimet e nevojshme, mes të cilave përfshihet edhe marrja në pyetje e dy të moshuarve, të cilët rezultojnë pronar pa dijeninë e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore