Shqipëria

SPAK përfundon hetimet për Zamira Ramin, ish-kryetarja do t’i nënshtrohet gjyqit


Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), të mërkurën e 2 qershorit, ka shpallur se ish-kryetarja e Bashkisë Gjirokastër, Zamira Rami, ka kryer veprime në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi.

Sipas njoftimit, “kryetarja e Bashkisë gjatë ushtrimit të funksioneve të saj, në lidhje me procedurat e ndjekura për lejen e ndërtimit dhe vazhdimin i punimeve për realizimin e dy projekteve të rindërtimit, ka kryer veprime në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi”.

Pasi ka përfunduar hetimet, SPAK ka njoftuar se, ish-kryetarja Rami ka prishur dy prona të ligjshme të shtetasve Dritan Sako dhe Teodorti Xhai, duke i shkaktuar atyre një dëm pasuror në vlerë 5 milionë e 600 mijë e 520 lekë.

Bëhet fjalë për projektin “Rikonstruksion i rrugës Kryqëzim me rrugën nacionale (Postbllok), si dhe lejen e ndërtimit dhe vazhdimin e punimeve për realizimin e projektit “Rikualifikimi i hapësirave publike dhe rrugës hyrëse pranë Memorialit të Rilindësve në Gjirokastër”.

Më 15 dhjetor të vitit 2020, SPAK ka paraqitur kërkesë për dërgimin në gjyq të procedimit penal, në ngarkim të të pandehurës, Zamira Rami, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore