SPAK përfundon hetimet për inceneratorin e Elbasanit

Rajmonda Basha
10.11.2022 11:48
Loading Icons...

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet për inceneratorin e Elbasanit.

Autoritetet bëjnë me dije se dosja e mbyllur hetimore u është dorëzuar avokatëve mbrojtës të të pandehurve, të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe Klodian Zotos.

Tashmë  i takon avokatëve të cilët kanë 10 ditë kohë të bëjnë pretendimet e tyre në lidhje me këto përfundime që më pas dosja të paraqitet në GJKKO dhe kjo e fundit të vendosë kalimin për gjykim apo jo në seancë paraprake.

Koka ishte i pari që u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) më 14 dhjetor, për korrupsion dhe shpërdorim detyre për inceneratorët.

Ishte po GJKKO-ja, e cila më 16 dhjetor vendosi masën e sigurisë “arrest me burg’”.

Në dëshminë e tij, gjatë seancës, ish-ministri theksoi se “nuk e kam shkelur ligjin”.

Arrestimi ka ardhur, pasi u kallëzua penalisht nga Lëvizja Socialiste për Integrim për çështjen e inceneratorëve.

Akuza e LSI-së lidhej me pretendimet për shkelje në ndërtimin e inceneratorit të Fierit.

Gjashtë ishin arsyet e aktit të ndërmarrë nga LSI-ja.

E para lidhet me emërtimin e procedurës.

Sipas kryetares së kësaj partie, Monika Kryemadhi, ajo është publikuar si “Tender Kombëtar”, kur realisht duhej të ishte “Tender i hapur ndërkombëtar”.

Së dyti, sipas saj, ka ndryshuar vendi ku do të ndërtohej inceneratori.

Së treti, pas firmosjes së kontratës, ka ndryshuar një nga anëtarët e bashkimit të shoqërive, sipas pretendimeve nga LSI.

Arsyeja e katërt lidhej me afatin e zgjatur të punimeve. E pesta me publikimin e procedurës dhe e gjashta me zhvendosjen – e pretenduar e jashtëligjshme – e inceneratorit.

Kush është Lefter Koka?

Lefter Koka fitoi mandatin e deputetit më 25 prill në Qarkun e Durrësit.

Mirëpo, më 1 shtator 2021, vetëm dhjetë ditë përpara fillimit të punimeve të Kuvendit të ri, Koka dha dorëheqjen nga posti nëpërmjet një statusi në median sociale Facebook.

Karriera e tij politike ka nisur qysh në fillimvitet 2000.

Ai ka qenë kryetar i Bashkisë Durrës fillimisht, në mandatin 2003-2007.

Më pas, Koka, pjesë e LSI-së, do të bëhej ministër i Mjedisit në vitin 2013, në Qeverinë e parë të Edi Ramës, i cili bashkoi forcat me Ilir Metën, asokohe në një koalicion të gjerë parlamentar.

Në shtator 2017, Koka do të merrte postin e deputetit nën siglën e LSI-së, por këtë herë do të qëndronte në opozitë.

Në zgjedhjet e 25 prillit, pasi nuk pranoi të digjte mandatin e tij me vendim partie në vitin 2019 – duke qëndruar kështu në Parlament – Koka iu bashkua socialistëve, ku mori edhe votat për të qenë pjesë e Parlamentit si deputet i Qarkut Durrës.

Lefter Koka është një person, i cili i është afruar politikës nga bota e biznesit, duke zhvilluar një karrierë të shtrirë në dy dekada.

Të fundit

Aktuale