Shqipëria

SPAK me dy prokurorë të rinj


Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), në vijim të procesit të vlerësimit të kandidatëve për prokuror në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) ka zhvilluar intervistat me kandidatët.

KLP-ja vendosi emërimin e dy prokurorëve Adnan Xholi dhe Dorina Bejko në SPAK.

Shpallja për vakancat u bë më 18 maj 2021.

Pas verifikimit të plotësimit të kushteve ligjore nga ana e Komisionit të Posaçëm për ngritjen në detyrë si prokurorë në SPAK, Këshilli miratoi listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore.

SPAK tashmë do të ketë 15 prokurorë.

Si funksionon SPAK-u?

Kjo strukturë, së bashku me Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të njohur edhe si Gjykata Speciale, ka si qëllim hetimin dhe gjykimin e të gjitha veprave penale për korrupsion ndaj ish-pushtetarëve dhe atyre aktualë.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si organi përgjegjës për hetimin dhe ndjekjen penale në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfaqëson akuzën përpara gjykatave të posaçme.

Kjo Prokurori drejton dhe kontrollon Hetuesit dhe shërbimet e Policisë Gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Prokurorët e saj zgjidhen për një mandat nëntëvjeçar pa të drejtë riemërimi.

Hetuesi emërohet në detyrë, për jo më pak se shtatë vjet, dhe gëzon statusin e oficerit të Policisë Gjyqësore.

Ndërkohë Byroja Kombëtare është e përbërë edhe nga shërbimet e Policisë Gjyqësore, që kanë për qëllim rritjen e bashkëpunimit dhe komunikimit midis Byrosë dhe institucioneve të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore