Shqipëria

SPAK kërkon arrestimin e Vangjush Dakos


Prokuroria e Posaçme SPAK ka lëshuar disa urdhër-arreste për disa ish-zyrtarë të Bashkisë Durrës, mes të cilëve edhe një për ish-kryetarin, Vangjush Dako, i cili postin e ka mbajtur për 12 vjet.

Albanian Post ka mësuar se disa prej këtyre urdhër-arresteve janë ekzekutuar tashmë dhe kanë të bëjnë kryesisht me ish-funksionarë në bashkinë bregdetare.

Ndërsa, mbi vetë Dakon, ende nuk ka një njoftim zyrtar, nëse ai është arrestuar apo jo.

Rasti i dyshuar është ai i korrupsionit lidhur me një pallat të dëmtuar nga tërmeti në Durrës dhe të përfshirë janë të paktën gjashtë ish-zyrtarë të sektorit të urbanistikës.

Dako ndërkaq, më 16 mars, është marrë në pyetje nga SPAK, por detaje lidhur me çfarë ai u pyet nuk u bënë me dije.

Ish-kryebashkiaku i Durrësit ka qenë edhe më parë i përfolur për lidhje korruptive, ku masën më të lartë e ka marrë më 30 korrik 2019, me shpalljen si persona non grata nga SHBA-të.

Neni 7031(c) e futi edhe atë në thesin e zyrtarëve të lartë shqiptarë, të cilët janë të papëlqyeshëm për Amerikën.

Përcaktimi i Vangjush Dakos dhe familjes së tij si non grata

Detaje të mëtejshme priten të bëhen me dije nga vetë SPAK, duke specifikuar edhe rrethanat e arrestimeve dhe akuzat, ku paraprakisht mësohet se lidhen me korrupsionin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore